UJITJA DHE KULLIMI, DOMOSDOSHMËRI PËR FERMËRËT
Shirat nuk do të vazhdojnë pafund dhe fermerët janë duke u përgatitur për stinën e nxehtë. Në Shirgjan të Elbasanit bashkia ka pastruar 16 km linear kanale kulluese vaditëse duke pritur në këtë mënyrë stinën e nxehtë dhe vaditjen e tokave bujqësore

METALURGËT DHE MINATORËT DO TË PËRFITOJNË PENSION SHTESË
Rreth 23 400 minatorë, naftëtarë dhe metalurgë, do të përfitojnë pension shtesë. Projekt ligji që parashikon këtë trajtim financiar, është diskutuar në komisionin parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Zv/ministri i Ekonomisë dhe Financave, bëri të ditur se shtesa për minatorët do të jetë 1% për çdo vit sigurimi, ndërsa për kategoritë e tjera 0.6%.

NJOHJA E PATENTAVE, GATI DOKUMENTACIONI ME DISA SHTETE
Nga 16 maji 2019, zyrtarisht Shqipëria dhe Kosova kanë njohur dhe konvertuar patentat respektive. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tha sot se ka kryer në afat edhe detyrimet për njohje të tjera të reja nga disa shtete. DPSHTRR ka njoftuar se janë në pritje të procedurave që varen nga qeveritë e tyre, përmes ministrive tona që ndjekin procesin.

KUPONI TATIMOR GJOBITET SA TATIMI I PADEKLARUAR
Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH, dënohet me gjobë të barabartë me 100% të tatimit të padeklaruar. Ky informacion, i publikuar në në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, u drejtohet të gjithë taksapaguesve, të cilët duhet të bëjnë kujdes me moslëshimin e faturës dhe dëftesës tatimore.

EURO VENDOS REKORD, ZBRET NË NIVELIN MË TË ULËT NË 11 VJET
Monedha e përbashkët Euro ka humbur sërish pikë në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 122.61 lekë, duke rënë me 0.23 lekë në raport me ditën e mëparshme, duke u këmbyer në nivelin më të ulët nga dhjetori 2008.

KREMTOHET “DITA E PRINDERVE” NË SHKOLLËN “EUROPA”
Megjithëse pranvera këtë vit ka vonuar të vijë, nxënësit e shkollës 9-vjecare “Europa” në Katund të Ri, në bashkëpunim me shoqatën “Fëmijët janë e Ardhmja”, prezantuan një aktivitet plot ngjyra dhe ritëm. Nën moton “Dita e Prindërve”, aktiviteti kishte si qëllim të lartësonte figurën dhe rolin e prindërve, duke i ftuar këta të fundit të vijojnë të bashkëpunojnë me institucionin e shkollës.

HERION MUSTAFARAJ VË NË SKENË “PRAPASKENAT E FATIT”
Prej disa ditësh në teatrin “Skampa” janë duke u zhvilluar provat për të ngjitur në skenë “Prapaskenat e Fatit”, komedinë e vënë në skenë nga Herion Mustafaraj. Në një intervistë për Tv Skampa, Mustafaraj, shprehet i kënaqur që do të performojë për publikun elbasanas, pasi është publik që e vlerëson artin dhe kulturën.