Paratë e siguruara në llogarinë e buxhetit të shtetit pas shitjes së eurobondit, por edhe kursi i këmbimit parashikohet të sjellin një ulje të borxhit publik me 2.5% për këtë vit.

Drejtori i Politikave Makroekonomike në Ministrinë e Financave Endrit Lami deklaroi se të ardhurat e përfituara nga shitja e eurobondit në vitin 2018 u përdorën për të ulur borxhin publik në masën 2%.

“Sa i takon borxhit publik, efekti i reduktimit të TSA, llogarisë unike te thesarit, që bën dhe diferencën mes borxhit publik bruto dhe borxhit publik neto, për vitin 2019 është 2 pikë përqindje”, tha Lami.

Po ashtu, vuri në dukje ai, edhe i kursit të këmbimit nëse do të jetë në këto nivele deri në fund të vitit, pritet të japë një ndikim pozitiv prej 0.5 deri në 1% në uljen e borxhit publik.

“Nëse kursi do të ishte sa është sot edhe në 31 dhjetor, efekti do të ishte 0.5-1 pikë përqindje”, u shpreh Lami.

Deklarata e Drejtorit të Politikave Makroekonomike në Ministrinë e Financave, Endrit Lami u bë gjatë diskutimit të Aktit Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2019, në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave./atsh/