Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, gjatë një interviste televizive deklaroi se vota është themeli i demokracisë dhe Shqipëria si një vend që kërkon të eci drejt Europës, duhet të respektojë sipas Kushtetutës, të drejtën për të votuar.

Ajo tha se dhuna në protestë është një argument në duart e euroskeptikëve dhe dëmton të ardhmen europiane të vendit tonë.

Sipas saj, protestat janë të mirë pranuara në çdo vend të botës, por ajo që nuk është e pranueshme është dhuna.

Sipas Ekonomit, dhuna shkaktohet nga ekstremistë që janë brenda PD.

“Partnerët tanë ndërkombëtarë kanë vlerësuar reformat tona. Edhe z. Hahn edhe z. Ruff sot kanë vlerësuar ecurinë e Reformës në Drejtësi. Nga krahu tjetër, kemi ambasadorin austriak që kërkon që palët të ulen në dialog. Kjo është thënë nga ne dhe në krye të herës, palët duhet të ulen në dialog dhe pas dialogut mund të ketë dhe negociata. Nuk mund të ketë negociata pa dialoguar”, theksoi Ekonomi.

“Jemi të bindur se zgjedhjet e 30 qershorit do të bëhen sipas standardeve. Zgjedhjet duhet të respektojnë standardin europian.  Duhet të tregojmë se jemi një klasë e përgjegjshme politike. Jemi në një moment të rëndësishëm dhe duhet të tregohemi të pjekur, pasi është dhe momenti kur Komisioni Europian do të kërkojë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”, tha Ekonomi.

Lidhur me protesta, Ekonomi u shpreh se janë normale, por dhuna është e dënueshme.

“Nuk jemi vetëm ne të brendshmit që jetojmë dhe këtu në Shqipëri, që themi se është normale të protestosh, por nuk është normale të përdorësh dhunën. Por edhe ambasadorët dhe partnerët tanë e kanë theksuar këtë. Ato që shkaktojnë dhunë janë më ekstremistët e PD. Këto i shërbejnë euroskepticizmit, pasi i japin atyre argument për të mos çelur negociatat”, tha Ekonomi.

“Është e rëndësishme kuptohet që protesta mund të bëhen, por duhet të hiqet dhuna. Dialogun e konsiderojmë si të rëndësishëm. Ne duam ta çojmë përpara Shqipërinë europiane, dhe Shqipëria europiane është ajo e ligjeve demokratike. Dhe demokracia ka në themel votën”, shtoi Ekonomi.

Sa i takon zgjedhjeve lokale, Ekonomi u ndal te Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj  si shembull i suksesit. “Z. Veliaj është një nga ato figurat që tregoi se në katër vite Tirana u zgjua. Kemi vepra në Tiranë që janë shumë të rëndësishme. Shiko këtu rivitalizimin e pazarit, muzetë, nxitja e sipërmarrjes private te Kalaja e Tiranës. Fakti i vendosjes së një takse për të rritur numrin e shkollave tregon fokusin e Bashkisë së Tiranës për të forcuar arsimin. Puna e bërë në Tiranë duhet të jetë një shembull për bashkitë e tjera”, tha Ekonomi.ATSH