Ekspertët e sigurisë rrugore i shikojnë me pozitivistet ndërhyrjet në kodin rrugor që priten të ndërmerren nga ministria e brendshme.

Sipas ekspertit, Islam Qibini, kodi i ri rrugor duhet të parashikojë ashpërsim të gjobave për kundravajtjet që bëhen shkak për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen.

Islam Qibini: Të kemi ndryshime te ato lloj kundravajtje që janë burim aksidentesh. 

Qibini thekson se ndryshimi më i nevojshëm në kodin rrugor është ashpërsimi i gjobave për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit.

Islam Qibini: Duhet të rriten masat administrative, të rriten gjobat që drejtuesit e mjetit mos përdorin celularin gjatë lëvizjes.

Në hartimin e kodit të ri rrugor propozohet të përfshihen ekspertë, grupet e interesit në mënyrë që të shprehin shqetësimet dhe problematikat e ndeshura në terren.

Islam Qibini: Duhet të përfshihen të gjitha grupet e interesit, Ministrinë e Transporteve, ARRSH dhe Ministrinë e Arsimit ku specialistë të ndryshmë të shprehin shqetësimet për problematikat që kanë në lidhje me qarkullimin rrugor.

Pas rritjes së numrit të viktimave nga aksidentet, ministria e brendshme ka paralajmëruar një paketë të plotë masash ligjore, administrative, operacionale dhe teknike, në mënyrë që të ketë më shumë siguri në rrugë.

Ora News