ATSH/ Një sërë dokumentesh arkivore të pahapura më parë mbi emigracionin politikë në Shqipëri u ekspozuan sot në kuadër të konferencës shkencore “Emigracioni politik shqiptar 1944-1990”.

Në ekspozitën e organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ishin të pranishëm Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt, studiues, etj.

Materialet arkivore i përkasin një fondi të pasur mbi emigracionin politik, një pjesë e të cilit u është vënë në dispozicion studiuesve, mes të cilave, ngjarjet e ambasadave, historia e familjes Popa, organizatave në Perëndim dhe dosje mbi të arratisurit.

Pjesë e ekspozitës janë pasqyra statistikore për të arratisurit, dosje drejtimi dhe kërkimi për të arratisur e të deklasuar, regjistra për personat në tentativë arratisjeje dhe albume fotografike të të arratisurve, që u përkasin qyteteve të ndryshme të vendit.

Nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në këtë ekspozitë me dëshmi arkivore të deklasifikuara u paraqitën fakte mbi qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj veprimtarisë së të ashtuquajturit “emigracion reaksionar” jashtë vendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, harta gjeografike e shpërndarjes së tij, propaganda dhe antipropaganda e përgatitur për t’u përdorur në çdo situatë, emigracioni i vjetër politik dhe shtimi i radhëve të tij me të arratisur të tjerë nga Shqipëria.

Dokumentet origjinale autentike janë prezantuar për herë të parë pas deklasifikimit të tyre.