Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka inspektuar punimet për hapjen e aksi të ri rrugor që lidh Labinotin Mal me Labinotin Katund.

Balla shprehet se me kërkesë të banorëve të zonës, Këshilli i Qarkut të Elbasanit dhe Bashkia e Elbasanit janë duke investuar në hapjen e një aksi të ri rrugor që lidh Labinotin Mal me Labinotin Katund, dy fshatrat më të mëdhenj dhe më me traditë të kësaj njësie.

“Është një aks i ri rrugor që lidh, me përgjysmim të distancës, Labinotin Mal me Labinotin Katund, që janë dy fshatrat më të mëdha, pjesë e kësaj njësie. Për banorët, kjo rrugë është shumë e përdorshme, qoftë për nxënësit që shkojnë në shkollë, qoftë për banorët që marrin shërbime në Njësinë Administrative. Ky është një aks më i shkurtër dhe më i lehtë për t’u përdorur edhe gjatë dimrit. Sigurisht kanë dalë disa punime të paparashikuara për shkak të rrëshqitjeve të dheut, por ne do t’i qëndrojmë mbi kokë çdo pune publike që bëhet sepse sfida jonë është, jo vetëm të bëjmë punë, por të bëjmë punë me cilësi.”, shprehet ai

Po ashtu Balla shton se Labinoti Mal është një zonë me histori në bashkinë e Elbasanit dhe sipas Kryetarit të Bashkisë, rruga do t’i shërbejë edhe turizmit:

“Është një investim që po bëhet nga Këshilli i Qarkut, me kërkesë të Bashkisë së Elbasanit. Ky investim shkurton distancën dhe bën lidhjen e dy fshatrave. Janë dy fshatra që kanë traditë me njëri tjetrin, tani po bëhet edhe rruga e cila do t’i vijë në ndihmë edhe turizmit, edhe banorëve”, shprehet ai. /j.p/