Prej disa ditësh në teatrin “Skampa” janë duke u zhvilluar provat për të ngjitur në skenë “Prapaskenat e Fatit”, komedinë e vënë në skenë nga Herion Mustafaraj.

Në një intervistë për Tv Skampa, Mustafaraj, shprehet i kënaqur që do të performojë për publikun elbasanas, pasi është publik që e vlerëson artin dhe kulturën. Herion Mustafaraj përcjell jo vetëm pjesë komike, por dhe mesazhe për shoqërinë. E shkruar prej vetë Mustafarajt në skenë, “Prapaskena e Fatit” vjen si një komedi muzikore.

Aktori Herion Mustafaraj tregon ndër të tjera se mesazhi që përcjell pjesa e shkruar prej tij përmblidhet me pak fjalë: nuk ka dështak që provon. “Kjo është një vepër, që si të thuash shpreh edhe dëshirën për të jetuar dhe provuar deri në çfarëdolloj moshe dhe profesioni, për të provuar një ëndërr që ke pasur dikur.

Ajo nuk është e lehtë, është një ëndërr që ka qëndruar në sirtar dhe dikur do të dali, atëherë njeriu do të ndjehet i plotësuar. Është një thënie që vjen dhe si mesazh i pjesës, nuk ka dështak që provon”, pohon aktori Mustafaraj. Regjisori Endri Çela vlerëson bashkëpunimin me aktorin Herion Mustafaraj, që sipas tij edhe muzika është live në shfaqje. Komedia “Prapaskenat e Fatit” do të shfaqet për publikun 21-21 Maj.

Edlira XHERRI