Në qendër të qytetit, mureve të kalasë, ngrihet një objekt më shumë se një shekullor, i cili të fton të njihesh me matjen e kohës. Ky objekt i njohur ndryshe kulla a sahatit, shumë herë është bërë pikë referimi për takime të ndryshme, mes të rinjve, turistëve si dhe vetë qytetarëv elbasanas. Përgjatë viteve, gjithçka ka ndryshuar në qytet, infrastruktura, shumë objekte nuk egzistojnë më si xhamia e Ballijes që ngrihej përballë tij, apo pazaret sërisht përballë tij, por kulla monumentale e sahatit, qëndron sërisht aty, si një objekt i lashtë nga ku edhe njihet vetë ky qytet i lashtë.

Në formën e saj të hershme ky sahat qytetar nuk njihet, madje në të njejtin vend vërtetohet se janë ngritur rredhazi tre të tillë, njëri i përkohshëm me strukturë druri dhe i fundit që njohim, siç thuhet edhe në mbishrim, u ngrit me mirësinë e banorëve të qytetit në vitin 1899.

Është karakteristikë e qyteteve shqiptare, në krahasim me qendrat e tjera urbane të Perandorisë Osmane, ishte prania e tyre urbane që nga mesi i shekullit të XVI, i kullave të posaçme në të cilat kishte orë për matjen e kohës. Historiani Kreshnig Belegu thotë se “përgjatë shekullit të XVII ishin pajisur me të tilla objekte pothuaj të gjitha qendrat qytetare, si Prizreni, Berati, Shkodra, Prishtina, Peja, Kruja si dhe Elbasani.

Idenë për ndërtimin e tyre e kishin sjellë tregëtarët vendas, në kontakte të shpeshta me vendet europiane. Ato sollën prej andej edhe mekanizmat kohëmatës, për të cilët ndërtuan kulla të posaçme në sheshet e pazareve apo në vende pranë tyre të zgjedhura, që kulla të bëhej elementi mbizotërues i siluetës së qytetit.

Në Elbasan si vend për ngritjen e saj u pëlqye kulla e hyrjes së kalasë pranë xhamisë së Fatiut, të cilën Evlija Çelebiu e cilëson si shumë të bukur dhe që funksiononte shumë mirë”.

 

                  – Historiku i ndërtimit të kullës –

Kulla ngrihet në lartësinë me tre jate funksionale, me planimetri katrore ( 4.3 x 4.3 metra). Në ballin e qytetit ndodhet porta e hyrjes, mbi harkun e së cilës është shkruar historiku i ndërtimit të saj.

Teksti i mbishkrimit është:

“ Mbreti i botës Abdylhamiti bujar/ nën hijen e hirit të tij u ngrit sahati i hijshëm/burrat me sedër të Elbasanit patën mirësinë/ dhe ngjallën këtë kohëtregues të bukur dhe zemërledhatues/ shumë u përpoq, u interesua dhe u kujdesua Aqif beu/ Zoti i dhashtë si shpërblim gjithë të mirat e kësaj bote/ kur tingëllon, me zërin e tij njofton për bukuri kohën e saktë/ në mënyrë të përsosur nga të katër anët tregon minutat/ meqë zotëron intuitën e vjershëtorit tuaj/ Refit vitin e ndërtimit të tij/ e ndërtuan në fillim të vitit njëmijë e treqind e pesëmbëdhjetë.” ( viti 1315 që i takon vitit 1899).

Artistikisht Kulla e Orës së Elbasanit është një gjetje origjinale në propocionet dhe në trajtimin dekorativ të strukturave të jashtme./m.s/