Punësimi është një çështje e rëndësishme, dhe ofrimi i kësaj mundësie nëpërmjet formave të ndryshme ka sjellë uljen e papunësisë. Një rol të madh në këtë drejtim e kanë pasur edhe Zyrat e punës. Në Drejtorinë Rajonale të Punësimit në Elbasan, 2018 ishte e mbushur me sfida, por realizimi i objektivave për punësimin e qytetarëve të Elbasanit u arrit. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Marsida Hyseni, realizimi i këtyre objektivave është arritur dhe në sajë të bashkëpunëtorëve.

Bashkëpunimi me qeverinë gjermane GIZ, GFA dhe Sëiss contact si dhe me bashkëpunimin e frytshëm me Formimin profesional, shkollat profesionale dhe disa shoqata, kanë bërë të mundur riaftësimin e qytetarëve në profile të ndryshme profesionale.

Bashkë me GIZ dhe GFA është duke u implementuar projektin “Soft skills’ që ofrohet për punë kërkuesit në kuadër të rritjes së aftësive të tyre për të gjetur punë dhe për të përshtatur më së miri kërkesën e tyre me punën dhe për tu punësuar.

Nga ana tjetër duhet shtuar fakti se Zyrat e Punës kanë programe të veçanta nxitje punësimi të cilat favorizojnë subjektet dhe qytetarin. Znj.Hyseni thekson faktin se për vitin 2018 si një vit i suksesshëm, 1003 janë punëkërkuesit që kanë filluar punë nëpërmjet ndërmjetësimit nga Zyra e Punës, 88 të punësuar nga programet e nxitjes, 261 kanë gjetur vetë punën, dhe 636 të plotësuara na punë dhënësi.

Edlira XHERRI