Kryetari i Bashkisë Z. Qazim Sejdini nderoi me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, Drejtorinë e Shërbimit, të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit me motivacionin “Për përkushtim të lartë në kryerjen e detyrës heroike si zjarrfikës dhe në shpëtimin e jetëve të njerëzve.”
Titulli erdhi një ditë pasi efektivët e këtij shërbimi menaxhuan me guxim dhe vetësakrificë, një situatë të vështirë të rënies së zjarrit në një objekt 12 katësh të banuar. 


Për rreth 90 minuta, efektivët e shërbimit zjarrfikës luftuan me flakët dhe tymin për të shpëtuar jetët e njerëzve.


Ishin dhjetëra familjarë, sidomos fëmijë të cilët mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre, të rrezikuar nga asfiksia. Por menaxhimi i shpejtë dhe profesional nga ana e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur që kjo ngjarje të kalojë pa asnjë pasojë njerëzore.
Z. Sejdini uroi dhe falenderoi efektivët e shërbimit zjarrfikës për punën e shkëlqyer ndërsa theksoi se një situatë e tillë, e vështirë, si ajo e një ditë më parë, nuk mbahej mend të kishte ndodhur. 


Pajisja e shërbimit zjarrfikës me aparatura dhe makineri të reja dha rezultatin e pritur. Me anë të shkallëve të zjarrfikëses u shpëtuan njerëzit nga ballkonet në katet më të larta.

ElbasaniNews.al