Komunitetet fetare, sipërmarrësit, njerëzit e thjeshtë, njerëzit e politikës, të artit, sportit, u bënë bashkë sot në Elbasan për të dhuruar ndihmë financiare për riparimin e dëmeve nga tërmeti i rënë mëngjesin e së martës në vendin tonë.

Në takimin e organizuar merrnin pjesë deputeti i Partisë Socialiste i qarkut Elbasan, Taulant Balla, deputeti i PS-së, Vullnet Sinaj, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, nënkryetari i Partisë Demokratike dega Elbasan, Zamir Muzhaqi, përfaqësues të komunitetet fetare, sipërmarrës, qytetarë, etj.



Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, tha se “jemi të gjithë në kembë siç ashtu siç është gjithë Shqipëria ashtu siç ishte Elbasani në këmbë gjithë këto ditë pas tërmetit, kanë qenë ditë të vështira për popullin shqiptar, por më të vështira për zonat e prekura nga tërmeti, për familjet që kanë humbur të afërmit, shtëpitë, gjithçka që kanë pasur”.

“Sot jemi mbledhur me komunitetet fetare të Elbasanit, deputetët e qarkun bizneset kryesore të Elbasanit , por edhe nga rrethet e tjera, jemi mbledhur me qytetarë të thjeshtë, të cilët duan të kontribuojnë financiarisht me gjithçka që kanë mundësi për rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti”, – theksoi Llatja.

Deputeti i PS-së Balla tha në fjalën e tij se “kësaj nisme sot i janë bashkuar jo vetëm bizneset nga Elbasani, por edhe nga zona të tjera që kanë ardhur. Qëllimi është ti bashkohemi thirrjes së Kryeministri Edi Rama, Qeverisë dhe opozitës për të kontribuar përmes llogarisë “E-Albania Dhuro”. Kushdo që ka mundësi si ai gjyshi në Medvegjë që dhuroi 10 euro që kishte nga 10 mijë lekë që i kishin mbetur nga pensioni, të bëjmë të gjithë”.

Nënkryetari i Partisë Demokratike dega Elbasan, Zamir Muzhaqi tha se “falënderoj organizatorët për këtë takim dhe donatorët elbasanas. Dua t’iu siguroj që e gjithë struktura e PD ëhstë në këmbë, vullnetarë nga dega e PD-së janë pranë qytetarëve të Durrësit dhe Thumanës. Forumi rinor i PD është pranë qytetarëve në nevojë dhe e gjithë struktura është e mobilizuar”.

“Jam i sigurt se bashkimi do na nxjerrë nga kjo situatë të gjithë së bashku”, tha Muzhaqi.

Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, tha se “ajo që na bën më krenarë është bashkimi i gjithë shqiptarëve”.

Sipërmarrësi Gjergj Luca tha se “këta politikanë që kanë nga dy-tre shtëpia që shkojnë atje vetëm 10 ditë në vit, pse s’i japin lirojnë ato për banorët e prekur nga tërmeti meqë u dhemb zemra për shqiptarët. Punëtorët e mi kanë dashur të japin rrogën e një muaji, por unë u kam thënë jo. Do të dhuroj 100 milionë lekë për familjet e dëmtuara nga tërmeti”.

Përfaqësuesi i Kishës Katolike në Elbasan tha se “solidarizohemi me situatën dramatike që ka përfshirë vendin tonë. Jemi bashkuar gjatë këtyre orëve për vëllezërit dhe motrat që janë përfshirë nga kjo fatkeqësi natyrore. Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi në terren për të dhënë kontributin tonë në forma të ndryshme materiale dhe shpirtërore duke lehtësuar sadopak këtë dhimbje”.