Në kalendarin e festimeve të “Ditës së Verës”, në panairin e librit u parashikua edhe zhvillimi e “Natës së Librit”. Pikërisht në këtë mbrëmje, organizatori Aqif Hysa, shprehet për “Tv Skampa” se panairi nga viti në vit rezulton më i sukseshëm.

Sipas Z.Hysa, secili panair ka risitë e tij, ku këtë vit pjesëmarrja ishte më cilësore dhe nata e librit spikati këtë herë duke bërë që panairi të qëndronte i hapur deri në mëngjes.

Ky është i treti vit që Panairi i Librit organizohet në Elbasan me rastin e “Ditës së Verës”, ndërkohë që sipas organizatorëve, interesi ka ardhur në rritje. Duke e lidhur panairin me traditën kulturore të Elbasanit, shtëpitë botuese e shohin si një mundësi të mirë për promovimin e titujve të rinj. Ndërsa qytetarët e shohin si diçka të veçantë ku mund të gjejnë aty libra që nuk I kanë gjetur më hërët në këtë qytet.

Panairi i Librit në Elbasan ”SkampaScript 2019” organizohet për të tretin vit me radhë dhe shënon fillimin e aktiviteteve me rastin e “Ditës së Verës” si një zgjedhje e menduar mirë në qytetin e dijes dhe kultures.

Në fakt, vit pas viti është parë interes në rritje nga ana e shtëpive botuese. Nga 50 pjesëmarrës një vit më parë, këtë vit në Panairin e Librit marrin pjesë mbi 65 shtëpi botuese.

Mijëra vizitorë të cilët pritet të vizitojnë qytetin tonë me rastin e festës, simbol të Elbasanit, do të kenë mundësi të vizitojnë edhe këtë panair, i cili vjen me dhjetëra botime të reja. Ky panair vjen si bashkëpunim i bashkisë Elbasan me Ministrinë e Kulturës dhe Shoqatën “Durana”.

Edlira XHERRI