Sejdini e Balla inspektojne rruget ne ndertim!
Sejdini e Balla inspektojne rruget ne ndertim!

Kryetari Bashkisë Z. Qazim Sejdini i shoqëruar nga i Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, Shefi i Kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë Gledian Llatja dhe zyrtarë të tjerë vendorë inspektuan vijimin e punimeve në rrugët “Fetah Ekmekçiu” dhe “Apostol Gega” në lagjen “5 Maji” në Elbasan.

Kryetari i Bashkisë Z. Sejdini vuri në dukje rëndësinë e këtij investimi duke shtuar se paralelisht po punohet edhe nga Ujësjellësi për furnizimin 24 orë më ujë të pijshëm:

“Kjo është një nga lagjet më të vjetra të Elbasanit dhe e kishte të nevojshme dhe të domosdoshme jo vetëm rrugën kryesore, por edhe rrugët lidhëse. Këtu po bëhet një punë e mirë dhe unë shpresoj t’u kemi ardhur në ndihmë, jo vetëm banorëve të kësaj lagje, por edhe banorëve të lagjes “11 Nëntori” pasi kjo është një rrugë lidhëse. Ne po vazhdojmë t’u shërbejnë qytetarëve ashtu siç kemi premtuar.”

Me rikonstruksionin e këtyre rrugëve përfiton një numër i madh banorësh në një nga lagjet më të populluara, por edhe më të vjetra të Elbasanit:

“Bashkia Elbasan ka miratuar që këtë vit, pothuajse në të gjitha lagjet e Elbasanit do të ketë investime në infrastrukturë. Ky është një nga investimet më të rëndësishme, jo vetëm për nga vlera, por edhe nga projekti i cili përfshin ndërhyrje në infrastrukturë, kanalizime, në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, pra është një projekt i integruar për transformimin tërësor urban të një prej lagjeve më të vjetra të qytetit të Elbasanit. Pothuajse çdo javë inspektojmë një punë të rëndësishme publike në Elbasan. Ajo që kemi thënë, që Elbasani është një kantier ndërtimi është tërësisht i verifikueshëm sepse nuk ka asnjë cep të Elbasanit ku nuk punohet për të bërë të mundur urbanizimin e plotë, por nuk kemi lënë pas dore as Njësitë Administrative dhe po i qëndrojmë me besnikëri dhe përpikmëri angazhimit që kemi marrë përpara popullit të Elbasanit” tha Balla

I pranishëm në këtë inspektim ishte edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës, Z. Llatja i cili vuri në dukje mbështetjen e vazhdueshme ndaj Bashkisë së Elbasanit dhe ndryshimin e mendësisë në të bërit punë publike:

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke pasur një nga komponentët e vet edhe zhvillimin urban si dhe duke pasur në fokus jo vetëm zhvillimin e qëndrueshëm të rajoneve, por edhe të zonave të caktuara, ka ndryshuar komplet mendësinë e të bërit të punëve publike të qyteteve, duke investuar paralelisht bashkë me rrugët edhe në ujësjellësat dhe kanalizimet dhe duke i dhënë fokus shumë të madh të gjithë zhvillimit të brendshëm të qyteteve në të gjitha lagjet.”

Investimi në rrugët “Fetah Ekmekçiu” dhe “Apostol Gega” kap vlerën e rreth 25 milionë lekëve dhe parashikon ndërhyrjet në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, ndriçim dhe gjelbërim.