Viti shkollor 2018-2019 është një vit i rëndësishëm për shkollën “Ali Agjah” në Elbasan. Kjo jo vetëm për faktin se është një shkollë që tashmë i plotëson standardet Europiane, por edhe për vetë historikun që mbart.

Drejtoresha e shkollës Tatjana Misiri Mani në një prononcim për Tv Skampa shprehet se është një vit special për të dhe për të gjithë stafin. Këtë vit mësimi do të nisë në godinën e re me kushte optimale, me sistem ngrohje dhe me të gjithë bazën materiale të re.

Sipas Znj.Misiri në shkollë është punuar fort për të arritur që në datë 17 gjithçka të jetë gati dhe të gjithë nxënësit të vijojnë rrugën drejt dijes. Ndër të tjera vlen të theksohet fakti se shkolla do të presë këtë vit rreth 500 nxënës ku më e veçanta mbetet fillimi i klasës së parë për 60 vogëlushë.

Ka qenë një iniciativë e kahershme e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit Z. Qazim Sejdini që çdo rikonstruksion shkolle të përfshijë edhe të gjitha standardet e domosdoshme. Shkollës “Ali Agjah” i janë shtuar dy kate anësore pasi numri i nxënësve në këtë shkollë kërkoi edhe shtimin e numrit të klasave, por edhe ndërtimin e një palestre.

Edlira XHERRI