Zhvillimi i qëndrueshëm i ndërmarrjeve të vogla në pronësi të grave në rajonin e Elbasanit, ka qenë fokusi i takimit që është zhvilluar ditën e sotme në këtë qytet. Takimi është zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të Universitetit Mesdhetar, Bashkisë Elbasan dhe grave sipërmarrëse në Elbasan.

Juljana Sikoli, në çeljen e këtij takimi është shprehur mbi rëndësinë e zhvillimit të sipërmarrjeve të grave dhe se qëllimi kryesor i këtij takimi është të rrisë konkurueshmërinë e grave dhe të forcojë sipërmarrjen femërore.

Ndërsa për kreun e bashkisë së Elbasanit ky është një nga aktivitetet më të vlefshme që Elbasani kishte nevojë të zhvillonte. Z.Llatja theksoi edhe faktin se shumë shpejt do të fusë edhe një element të ri në drejtimin e kësaj bashkie, siç është buxhetimi gjinor.

Ndërsa për deputeten e Ps, Evis Kushi, gratë, sipërmarrëse apo jo, duhen mbështetur. Këtë janë përpjekur të bëjnë edhe në kuvendin e Shqipërisë duke u dhënë më tepër hapësira dhe të drejta menaxherjale grave. Znj. Kushi shton faktin se sfidat janë të shumta, por përpjekjet për t’ia dalë janë të mëdha.

Sipërmarrja forcon rritjen ekonomike të një vendi. Prandaj shumica e vendeve, veçanërisht ato në zhvillim si Shqipëria, po përpiqen të krijojnë politika të reja për të mbështetur proçeset e sipërmarrjes. Sidoqoftë, ende ekzistojnë shumë pengesa me të cilat përballet sipërmarrësit në këto vende.

Projekti Zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla për gratë në zonat ndërkufitare synon të rrisë numrin e grave në këto ndërmarrje. Fakt është që numri i grave në moshë të re me vullnetin e tyre kanë krijuar ndërmarrje të cilat rrisin jo vetëm ekonominë e vendit, por i japin asaj edhe një pamje tjetër në sy të ndërkombëtareve.

EDLIRA XHERRI