Është zhvilluar në Bashkinë e Elbasanit mbledhja e parë e Këshillit për Zhvillim Ekonomik Vendor, takim i cili u drejtua nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në Bashkinë e Elbasanit me mbështetjen e projektit të USAID-it, për Planifikimin e Qeverisjes Vendore.

Bashkia e Elbasanit është e para bashki në vend e cila ka institucionalizuar tashmë Këshillin për Zhvillim Ekonomik Vendor i cili synon forcimin e bashkëpunimit mes qeverisjes vendore dhe dhe bizneseve lokale.

Ky këshill vepron si organ këshillues për Kryetarin e Bashkisë në çështjet që lidhen me zhvillimin ekonomik, aktivitetet e biznesit, hartimin e planeve të detajuara vendore etj.

Kryetari i Bashkisë, Z. Qazim Sejdini e konsideroi një vlerë të rëndësishme krijimin e Këshillit Ekonomik i cili do të bëjë më të mirën e mundshme, sipas tij, për zhvillimin e qytetit, për lobimin dhe promovimin e tij dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.

Po ashtu, Sejdini prezantoi para këshillit disa nga objektivat kryesore të Bashkisë së Elbasanit.

Sejdini informoi Këshillin rreth iniciativës së Bashkisë së Elbasani për të hapur një zyrë lobimi në Bruksel, për të pasur mundësi në thithjen e invetimeve për Bashkinë e Elbasanit.

Po ashtu, edhe një herë Sejdini vuri në dukje objektivin për furnizim 24 h me ujë të të gjithë qytetit.

Gjithashtu Kryetari i Bashkisë theksoi nisjen e punës për identifikimin dhe inventarizimin e të gjithë nevojave infrastrukturore në të gjithë Bashkinë dhe përgatitjen e një materiali i cili më pas do t’i paraqitet Këshillit Bashkiak, me synimin e  ndërhyrjeve të plota brenda vitit.

Një pjesë e rëndësishme, për t’u ndarë me Këshillin Ekonomik, ishte synimi për shndërrimin e ish zonës së Kombinatit Metalurgjik në zonë të lirë ekonomike dhe kjo, sipas Sejdinit, do të tërheqë investime dhe do të hapë  vende të reja pune.

Në cilësinë e konsulentit të USAID, PLGP dhe falë eksperiencës së tij në qeverisjen Vendore, Peter Clavelle përgëroi Bashkinë e Elbasanit, si e para në vend në krijimin e këtij institucioni këshillues dhe theksoi punën e rëndësishme që mund të bëjë ky këshill në institucionalizimin e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe biznesit; lobimin për tërheqjen e investitorëve dhe gjenerimine vendeve të reja të punës.

Me interes për mbledhjen e parë të Këshillit për Zhvillim Ekonomik Vendor ishte prezantimi, nga ana e nënkryetari Z. Klevis Xhoxhi, të projekt ideve strategjike të Bashkisë Elbasan, që gjenerojnë zhvillim ekonomik, rritje të të ardhurave të bizneseve dhe përmirësim të punësimit në nivel lokal.

Si një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të biznesit, administratori i kompanisë Rozafa, Gjergj Luca, prezantoi idetë e tij për afrimin e qytetarëve drejt vendeve të punës dhe krijimin e një strategjie të merituar përsa i përket skemës së ndihmës ekonomike. Luca vlerësoi Bashkinë e Elbasanit për krijimin e një klime të favorshme dhe mbështetëse ndaj biznesit.

Edhe këshilltari, Eugen Isaj përcolli vlerësimin e tij për krijimin e Këshillit Ekonomik ndërsa vlerësoi se papunësia mbetet një nga shqetësimet më të mëdha të qytetit dhe është ky drejtimi nga duhet të punohet më fort.

Krijimi i Këshillit për Zhvillim Ekonomik Vendor erdhi si pasojë e gjykimit të Bashkisë së Elbasanit se për krijimin e vendeve të reja të punës dhe aktivitete të tjera të zhvillimit ekonomik duhet një angazhim dhe ndërveprim i ri mes pushtetit vendor dhe sektorit privat.

 

 

 

Zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit për Zhvillim Ekonomik Vendor
Zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit për Zhvillim Ekonomik Vendor