Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Burimi i Bankës, Gurra e Labinotit, Tuneli i Mirakës, Ulliri i Qejfit, Parku Rinia, Rrapet e Busheku, Rrapi i Bezistanit, Selvia e Seltës, Kodra e Krastës etj…janë  këto disa nga zonat natyrore e  turistike të Elbasanit, në zemër të Shqipërisë, që të tërheqin jo vetëm për bukuritë që ofrojnë, por edhe për emrat e veçantë, të vendosur në shekuj nga vetë vizitorët.

– Jo shumë larg qytetit ndodhet një  monument natyror që tashmë njihet jo vetëm nga të moshuarit, por edhe nga të rinjtë. Është “ Rrapi i Mansit”, një Pikë turistike me burime uji që frekuentohet nga qytetarët për argëtim ditor.  Emërtimi lidhet me itinerarin e rrugës “Egnatia”, në shekullin e II-IV, e cila mendohet se ka vazhduar në luginën midis Teqes së Madhe dhe Krastës.

Në këtë vend ka qenë edhe stacioni i pushtimit, i quajtur “ Mansio”. Prej këndej, pika mori emërtimin “ Rrapi i Mansit.”  Historikisht, për qytetin ka shërbyer si pikë dëfrimi, çlodhjeje, veçanërisht në festën e Ditës së Verës.

Si dru, Rrapi nuk i ruan përmasat karakteristike për shkak të degaradimit, por mendohet se ka një moshë 605 vjeçare.

– Rrapi  i Bezistanit, është edhe ai një tjetër monument natyror në qendër të qytetit, shumë pranë Portës së Kalasë. Emërtimi i tij lidhet me tregun e mbyllur, i quajtur “ Bezistan”, bërthamë e rëndësishme tregëtare, ndërtuar në shekullin e XVII që përfshinte një numër të konsiderueshëm dyqanesh.

Historkisht, “Rrapi i Bezistanit” ka shërbyer si pikë referimi për ngjarjet historike, arsimore e kulturore të Elbasanit. Përmasat tregojnë se ka një moshë mbi 500 vjeçare.

–          Rrapi i Vojvodës, sërisht një tjetër monument natyror që ndodhet në të dalë të qytetit.

Emërtimin me termin “Vojvodë” lidhet me periudhën e sundimit osman dhe ka marrë emrin e komandantit ushtarak, mëkëmbës në perandorinë osmane. Vojvoda kryente detyrën e komandimit ushtarak e të sigurimit të qetësisë në qytet.

Rrapi shërbente si pikë kufitare për hyrjen e daljen në Elbasan. Si vend kryente funksionin e pritjes e përcjelljes së figurave, personaliteteve dhe delegacioneve në festa apo ngjarje të rëndësishme.

Rrapi shërbente  edhe si pikë takimi e drejtimi për karvanet që vinin nga fise të ndryshme të perandorisë. Përmasat e tij tregojnë se ka një moshë rreth 700 vjeçare.