Kylian Mbappe është ëndrra e madhe e Realit të Madridit. Sulmuesi 20 vjeçar ka impresionuar me paraqitjet e tij me Paris Saint Germain, duke ngjallur interesin e shumë klubeve të rëndësishme europiane.

Një prej tyre është Reali i Madridit, i cili duket se ka nisur ofensivën për të arritur tek ai. Diçka të tillë e zbulon edhe trajneri, Zinedine Zidane, që në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Galatasaray u shpreh se gjithçka është në dorë të lojtarit.

“Do të jetë lojtari që merr vendimin për të ardhmen e tij. Tani ai është shumë i lumtur te PSG. Në të ardhmen, ne do të shikojmë. Ai është shprehur se ëndrra e tij ishte të luante në Real Madrid një ditë dhe shpresoj që ta bëj realitet,” tha shkurtimisht Zizu.

Mbappe është prej kohësh në orbitën e Realit të Madridit. Sulmuesi u kërkua me intensitet të lartë prej kohës që ishte pjesë e Monaco, por në fund PSG fitoi garën për të siguruar shërbimet e tij.

/Ora News.tv/