Estela Ujka, e pranishme në eventin për fuqizimin e grave dhe vajzave në Shqipëri, organizuar nga ORAT, rrëfeu si asnjëherë gjithë historinë e jetës. Që nga fëmijëria dhe jeta tek gjyshërit, deri tek adoleshenca, babai autoritar dhe dashuria e ndaluar me Lencin, burrin që kishte pasur një martesë të mbyllur dhe që sot është babai i tre vajzave të saj. Estela rrëfeu se ka parë skena dhune në familje, është ndjerë edhe e dhunuar, por në fund i ka falur prindërit e saj që gjithmonë kishin dashur më të mirën për të, edhe pse kishin zgjedhur rrugën e gabuar.

“Kemi parë skena dhune në familje. Mamaja ishte e persekutuar dhe s`kishte mundur të ndiqte studimet, kurse babai kishte mbaruar 2 fakultete. Ai ishte autoritari në shtëpi dhe duhej të kishte gjithmonë të drejtë. Në këtë ambient jemi rritur.

Dy prindërit dhe vëllai ishim më fanatikë. Kur u rritëm vëllai na ka kthyer kushedi sa herë nga rruga se minifundit ishte më i shkurtër se cc`duhej.

Duke qenë se merrja nota të mira në shkollë, e kisha gojën plot të kërkoja avantazhe dhe më lejuan të ndiqja karrierën, për 5 vite. Pastaj ndodhi që u dashurova me njeriun e gabuar për atë kohë. Ai ishte i martuar. Familja ime s`mund ta lejonte kurrsesi. Dhe gjetën zgjidhjen më të gabuar të mundshme, më gjetën një burrë tjetër. Pati dhe momente dhune. Unë i kam falur dhe i dua njësoj se e di që thellë thellë u munduan për të mirën time, edhe pse s`ishte mënyra e duhur. Duhej të më kishin dëgjuar mua siç dëgjoj unë sot vajzat e mia.

Sot në dukje zgjedhje ime e gabuar është babai i tre vajzave të mia, unë e dua dhe më do po njësoj. Nuk është ai monstra që mendonin prindërit e mi”, rrëfeu Estela pa e hequr për asnjë moment buzëqeshjen nga fytyra.