Monedha e përbashkët Euro ka humbur sërish pikë në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 122.61 lekë, duke rënë me 0.23 lekë në raport me ditën e mëparshme, duke u këmbyer në nivelin më të ulët nga dhjetori 2008.
Ekspertët e këmbimit valutor, shpjegojnë se ka disa arsye për nënçmimin e monedhës së përbashkët në tregun vendas. Tendenca rënëse e Euros e javëve të fundit po ndikohet nga kushtet atmosferike, të cilat kanë ulur qarkullimin e biznesit, por edhe nga kriza politike ku është zhytur vendi, e cila është reflektuar te rënia e konsumit.
Rënia e parasë në qarkullim dhe oferta e lartë në valutë, ka bërë që euro të shënojë rekorde të njëpasnjëshme të ulëta. Ndër të tjera, ekspertët shtojnë në dy ditët e fundit, njëra nga bankat e nivelit të dytë, po shet Euro në treg poshtë nivelit të kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Ky është një tjetër rekord i ri minimal, teksa euro ka zbritur sot në nivelin më të ulët në 11 vjet, që prej dhjetorit të vitit 2008, kur këmbehej me 122.5 lekë, për t’u forcuar më pas ndjeshëm, duke u ngjitur në nivele rekord prej gati 143 lekësh në qershor 2011.
Më pas, euro është dobësuar gradualisht, por nënçmimi i monedhës së përbashkët u përshpejtua vitet e fundit. Që nga mesi i vitit 2016, euro ka humbur vazhdimisht pikë, duke u nënçmuar me gati 16 lekë, ose 11.3%.