Artisti dhe deputeti Fate Velaj promovoi dje në Institutin Ndërkombëtar për Paqe, në Vjenë dy librat e tij më të rinj, “100 hapa brenda Europës” dhe ”NILKON” – Roman, pjesa e 2-të e triologjisë ”Kreuztanne’.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar, figura të njohura të jetës politike dhe sociale mbajtën fjalën e tyre për risitë që librat do sjellin për lexuesit.

Në këtë event artistik morën fjalën Hannes Swoboda, President i Institutit Ndërkombëtar për Paqen në Vjenë, Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Vjenë, Mostafa Abdalla Aly – gazetar dhe shef redaktor i shtëpisë botuese më të madhe të botës arabe, AL AHRAM, (Kairo, 1 milion gazeta të shitura në ditë),  Violeta Allmuça, shkrimtare si dhe katër deputet të Parlamentit Europian.

“100 hapa brenda Europës ”është një libër që bazohet mbi ngjarje të zhvilluara nga viti 2001 deri në vitin 2016.
Është historia e ngritjes së një personi, i cili krijoi një grupim artistik e që kërkonte të merrte përsipër një rol tjetër në shoqëri, larg klisheve dhe etiketimeve se artisti është i “destinuar” të realizojë vetëm vepra arti, por që, përsipër mori rolin e mendimtarit, të krijuesit të strategjive kulturore e politike për të korrektuar e përmirësuar marrëdhëniet midis artit, kulturës dhe politikës e veçanërisht, krijimin e arkitekturës për ndërtimin e urave midis kulturave dhe civilizimeve, atyre brenda dhe jashtë kontinentit.

Ndërsa libri i dytë, ‘NILKON’, pjesa e dytë e trilogjisë ‘Kreuztanne’, është një histori e vërtetë. Filluar në kulmin e debateve të kuqta flakë pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 në New York, vazhduar nëpër bardhësirat vjeneze të Janarit 2002 dhe mbyllur nëpër verdhësirat e Nëntorit egjiptian në Kajron e po atij viti me misionin shpirtëror për ndërtimin urës artistike që do të lidhte Danubin me Nilin.

Një roman ku realiteti dhe fiksioni, shkrihen në një të vetme për ta bërë këtë libër, një monument të dashurisë dhe vlerave të ngjashme midis popujve dhe civilizimeve.

Gjatë vizitës në Vjenë ,Velaj zhvilloi dhe një takim me Nikolaus Lutterott, këshilltarin politik të kancelarit Sebastian Kurz.

Fate Velaj e informoi Lutterott mbi zhvillimet në Shqipëri, reformat e marra nga qeveria në sistemin e drejtësisë, në sektorët strategjik të zhvillimit të vendit si dhe për hapat e ngelura në rrugën saj drejt integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian.

Gjithashtu Velaj zhvilloi dhe një takim me Ulla Knauss Nussbaumer – shefe e departamentit për programimin e kulturës jashtë Austrisë.

Biseda u fokusua në intensifikimin e programit të shkëmbimeve kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë dhe veçanërisht, në jug të vendit./atsh