Nderohet pena e artë e reportazheve

Me kërkesë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, mbështetjen e Këshillit Bashkiak Elbasan dhe kreut të bashkisë, Z.Gledian Llatja, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” Fatos Baxhaku. 5 muaj nga ndarja nga jeta e publicistit dhe gazetarit të mirënjohur, Këshilli Bashkiak i akordoi titullin e lartë “Qytetar Nderi” pas vdekjes.

I njohur për penën brilante në reportazhe dhe kritik i tranzicionit shqiptar, gazetari Baxhaku u nderua për kontributin e dhënë në fushën e gazetarisë si model i njeriut fisnik dhe gazetarit të përkushtuar, në të gjitha zhanret e gazetarisë. Ceremonia nderuese u mbajt në Universitetin e Elbasanit, aty ky Fatos Baxhaku jepte mësim në degën e gazetarisë.

Të pranishëm në ceremoni veç drejtuesve lokalë, ishin familjarë të publicistit, të cilët ende nuk e kanë pranuar humbjen e tij, studentë, pedagog etj. Për kreun e Unionit të gazetarëve Aleksandër Çipa, Fatos Baxhaku do të mbetet gazetari i lajmeve të përiferisë, me moral të lartë dhe plot virtyte.

Origjina e Fatos Baxhakut është Elbasani, ndaj vlerësimi nuk mund të mungonte nga ky qytet. Titulli iu dorëzua familjarëve nga kryetari i bashkisë Gledian Llatja.

Për vajzën e Fatosit, ende është e vështirë ta pranojë që babai i saj është larguar, pasi ajo çka ai ka lënë pas është një pasuri e paçmueshme. Me zërin që i dridhet dhe sytë që e tradhëtojnë, Bora ndjehet falenderuese për nderimin e të atit.

Ndërsa për vëllain e Fatosit, Artur Baxhakun, pedagog në fakultetin e Shencave të Natyrës, Fatosi ishte një njeri i rrallë, i cili cdo punë e bënte me përkushtim. Teksa ndan me ne kujtimet e të vëllait, shprehet i lumtur për rrugëtimin e jetës së tyre.

Fatos Baxhaku u shua ne gusht të vitit 2019-të në moshën 55 vjecare, duke e humbur betejën me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej disa kohësh.

EDLIRA XHERRI