Filmi ”Dita zë fill” në Trieste Film Festival
Filmi ”Dita zë fill” në Trieste Film Festival

Filmi ”Dita zë fill” i regjisorit Gentian Koçi konkuron në Trieste Film Festival në edicioni e 29-të , në kompeticionin kryesor ( Main Competition). Premiera italiane e filmit do të jetë në datën 25 janar 2018.

Dita zë fill (Daybreak) është një dramë intime, e cila ndodh në një apartament në Tiranë. Në fakt, është një histori që mund të ndodhë kudo. Marrëdhëniet njerëzore si dhe kompleksiteti i thellë i tyre më kanë tërhequr gjithnjë. Historia mbështetet në dy personazhe femërore, Leta dhe Sofia. Leta është një nënë e re në një situatë tejet të vështirë financiare. Për shkak të kësaj situate, ajo nuk ka mundur të paguajë qiranë që prej disa muajsh.

Kur Leta dhe djali i saj njëvjeçar nxirren jashtë prej apartamentit të tyre me qira, ata shpërngulen në shtëpinë e Sofisë, një gruaje të moshuar e të ngulur në shtrat prej sëmundjes, vajza e të cilës ka punësuar Letën si kujdestaren e nënës së saj. Me qëllim që të ruajë vendin e punës dhe strehën e saj të re, Leta duhet ta mbajë Sofinë në jetë me çdo kusht. Boshti i historisë është marrëdhënia e brishtë mes gruas së re dhe të moshuar, një marrëdhënie që luhatet mes empatisë reciproke dhe qëllimeve pragmatike.
Filmi pati premierën botërore  në festivalin e Sarajevës ku aktorja Ornela Kapetani fitoi çmimin si aktorja më e mirë.

Ky film i regjisorit Gentian Koçi është prodhuar nga ARTALB FILM (Shqipëri) në bashkëprodhim me GRAAL FILMS (Greqi). Ky prodhim shqiptaro-grek ka gjetur mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë- Shqipëri, Qendrës Greke të Filmit, Eurimages , Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, TVSH-së, Bashkisë së Tiranës si dhe rrjetit të zhvillimit të kinemasë ballkanike SEE CINEMA NETWORK./atsh