Reshjet e dëborës në Evropë kanë pësuar një ndërprerje të lehtë, por meteorologët paralajmërojnë se më shumë dëborë do të vijë në fundjavë, ndërkohë që zyrtarët e sigurisë thanë se dëbora e rënë tashmë përbënte sërish rrezik.

Për zonën e Alpeve, agjencitë e sigurisë ulën nivelin e kërcënimit nga orteqet, por nuk e përjashtuan plotësisht atë.

Ekipet e shpëtimit në Austri po përdorin edhe fluturimet për të zbuluar zonat më të goditura rëndë.

Fluturime të shumta u anuluan nga Mynihu dhe Frankfurti.

Një zëdhënës i aeroportit të Frankfurtit tha se rreth një e dhjeta e fluturimeve, rreth 120 të tilla, u anuluan për shkak të kushteve jo të mira, ndërsa në Mynih u anuluan 90 fluturime.

Për natën e dytë radhazi, shoferët gjermanë duhet ta kalonin atë në automjetet e tyre për shkak të kushteve të vështira të rrugës.

Këtë herë, shoferët e prekur ishin në autostradën A8 pranë Chiemsee, në jug të vendit.

Vullnetarët ofruan pije dhe batanije gjatë gjithë natës, para se rrugët të pastroheshin mjaftueshëm.

“Në disa raste, zgjuam shoferët e kamionëve, pastaj u desh pak kohë derisa të merrnin kamionët e tyre dhe të udhëtonin përsëri”, tha një zëdhënës i policisë.

Në pjesë të tjera të vendit, ekspertët e orteqeve ulën nivelin e rrezikut, por rreziku qëndron i konsiderueshëm në të gjithë zonën e Alpeve./atsh