Fondet e investimeve, bankat heqin komisionet për investitorët
Fondet e investimeve, bankat heqin komisionet për investitorët

Investitorët pjesëmarrës në skemat e fondeve të investimeve, në momentin kur dalin nga fondi i investimit apo tërheqin një pjesë të fondeve të investuara, nuk do të paguajnë komision ndaj bankës depozitare të fondeve.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi heqjen e komisioneve apo pagesave të ngjashme nga bankat depozitare ndaj investitorëve të fondeve të investimeve.

Sipas praktikës së deritanishme, ndaj investitorëve të fondeve të investimit janë aplikuar komisione bankare në momentin kur ata dilnin nga fondi i investimit apo tërhiqnin një pjesë të fondeve të investuara, duke u trajtuar në këtë mënyrë si klientë të bankës.

Vendimi i Autoritetit për heqjen e këtyre komisioneve i shërben mbrojtjes së mëtejshme të interesave të investitorëve, pjesëmarrës në skemat e investimeve kolektive, duke eleminuar shpenzime shtesë për investitorin.

/atsh