Aplikimet në programin IPARD II, po vijojnë për masat: investime në fermë, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, dhe diversifikimin e ekonomisë në fshat ose agroturizëm.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton se aplikimet për thirrjen e parë do të vazhdojnë deri më datën 30 Janar 2019.

AZHBR u bën apel fermerëve, agrobiznesit dhe të gjithë sipërmarrësve që duan të investojnë në sektorin rural, të aplikojnë për të përfituar financime nga Programi IPARD II  që mbështet masat përkatëse.

IPARD është programi i financuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare në mbështetje të bujqësisë shqiptare. IPARD ofron grante për fermerët mbi bazën e aplikimit që ato bëjnë për investime në bujqësi, agropërpunim dhe agroturizëm.

Çdo investim duhet të përmbushë standardet kombëtare dhe ato europiane, sipas sektorëve përkatës, për mbrojtjen e shëndetit publik, të mjedisit dhe mjedisit të punës.

Për çdo masë investimi programi parashikon minimumin dhe maksimumin e shpenzimeve të pranueshme. e.xh/j.p/