Thirrjes për ndihmë për t’ju bashkuar Shqipërisë në këto ditë të vështira pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin më 26 nëntor iu përgjigj edhe Rumania, e cila dërgoi menjëherë forcat e veta për kërkim-shpëtimit.

Pas disa ditë qëndrimi në vendin tonë, ku dhanë kontributin e tyre, forcat e kërkim-shpëtimit rumun janë larguar sot nga Shqipëria.

Ambasada e Rumanisë në Tiranë në bashkëpunim me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla organizuan sot një ceremoni në bazën ajrore në Rinas për përcjelljen e 52 forcave të emergjencës.

Balla falenderoi Rumaninë dhe forcat e emergjencës për profesionalizimin dhe kontributin e çmuar që dhanë në operacionet e kërkim-shpëtimin nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit.

“Zakoni i shqiptarit e do që mikun ta përcjellë deri tek dera e shtëpisë. Në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë organizuam një ceremoni në bazën ajrore në Rinas, per percjelljen e 52 forcave te emergjencës të ardhura nga Rumania. Sot në ditën kombëtare të Bashkimit të Rumanisë dua të falenderoj forcat e kërkim-shpëtimit për profesionalizimin dhe kontributin që dhanë në katër ditë misioni në Shqipëri për gjetjen e trupave nën rrënojat e tërmetit, i cili la pas 52 jetë të humbura e qindra të plagosur. Dy avionë ushtarakë të Forcave Ajorore të Rumanië vijuan sot fluturimet, duke sjellë çadra dhe materiale të tjera mbështetëse për zonat e prekura”, shprehet Balla.