80 portat e fshatit Rehovë, itinerari i ri turistik
80 portat e fshatit Rehovë, itinerari i ri turistik

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës kanë iniciuar hartimin e projekteve të restaurimit të “Portave të Rehovës”. Projekti ka për qëllim vlerësimin dhe evidentimin e 80 Portave në fshatin Rehovë, për të bërë të mundur vendosjen e sinjalistikës orientuese dhe restaurimin e tyre, duke krijuar kështu një itinerar arkitektonik – turistik – kulturor.

Në kuadër të këtij projekti si dhe të Paktit për Univestitetin dhe programit të Qeverisë Shqiptare “100 + Fshatrat”, u organizua një ekspeditë 2 ditore në qendrën historike të Rehovës, me studentë dhe pedagogë të programit të studimit të arkitekturës në Universitetin Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë” dhe Universitetin e Firenzes, si dhe me specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe DRKK Korçë.

Ekspedita shërbeu edhe si praktikë mësimore, ku në fokus kishte rilevimin, dokumentimin grafik dhe përshkrimor, evidentimin e problematikave dhe ndërhyrjeve të parashikuara për “80 Portat e Rehovës”. Secila prej tyre dhe të gjitha njëherazi kompozojnë një tablo të mjeshtrave kolonjarë, kulturës së fshatit dhe vlerave që mbart ai.

Gjithashtu, itinerari turistik i parashikuar synon përveç portave, edhe vizita në objektet e kultit dhe banesat karakteristike të fshatit, duke krijuar kështu një njohje të plotë të urbanistikës së Rehovës. /atsh