Në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit në Tiranë, si dhe në disa arkiva shtetërore dhe private në Itali ndodhen planimetritë dhe projektet e ndërtimit të portit modern të Durrësit, duke nisur që nga mesi i viteve 1920.

Në vëllimin “Tracce dell’Architettura italiana in Albania 1925-1943”, (Gjurmë të Arkitekturës italiane në Shqipëri 1925-1943), publikuar si album në Itali nga studiuesi Armand Vokshi, së bashku me dokumenta të shumtë për zhvillimin urban të Durrësit dhe qyteteve të tjera të vendit tonë bëhen të njohura edhe planimetritë dhe projektet për ndërtimin e godinave në hyrje të portit detar.

Projektet e arkitektëve urbanistë Luigi Luigi (Itali), Kohler (Austri), etj. u zbatuan plotësisht apo pjesërisht në bonifikimin e hapësirave përreth portit, ndërtimin e kalatave, etj. Po ashtu prezantohen edhe projektet për ndërtimin e godinave portuale aktuale të drejtorisë ekzekutive të APD, të cilat fillimisht u përdorën nga Komanda e Marinës dhe Dogana.

Viti 1928 shënon fillimin e punimeve në portin e Durrësit, që vazhdon të modernizohet e zgjerohet edhe sot./k.s/ /a.g/