Elbasani, epiqendra e festës pagane të Ditës së Verës sot është kthyer në mikpritësen e shumë qytetarëve dhe turistëve të cilët po shijojnë përmes aktiviteteve të larmishme këtë ditë të shënuar.

Në këtë ditë të shënuar, Elbasani ka hapur dyert dhe mirëpret qytetarët nga çdo cep i Shqipërisë, Kosovës, rajonit e diasporës, të cilët vijnë në Elbasan Ditën e Verës sepse këtu është vendi ku ka lindur kjo ditë dhe është një nga ditët më të veçanta ku festohet tradicionalisht.

Kryetari i bashkisë Elbasan Qazim Sejdini ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Verës.

“Më lejoni t’ju uroj nga zemra Gëzuar festën e bukur të verës, festën e luleve, festën më të bukur të Elbasanit. Mirësi, gëzim dhe dashuri të sjellë pranvera në vatrat tuaja familjare”, tha Sejdini. 

Mes panaireve, koncerteve, aromës së ballokumeve dhe atmosferës festive, qytetarët elbasanas por jo vetëm, përcjellin mesazhin e mirëseardhjes së Ditës së Verës.

Me mijëra ballokume janë porositur, gatuar dhe tregtohen në çdo cep të qytetit duke mbajtur vendin e parë si ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës.

Veç festimeve në shesh, në mbrëmje vizitorët mund të shijojnë kulinarinë mes argëtimit në të gjitha baret dhe restorantet e qytetit deri në orët e para të mëngjesit, pasi siç e do tradita, festa e verës pritet së bashku. /a.a/j.p/