Njëqind vjet pas themelimit të qytetit të Elbasanit nga pushtuesit Osmanë, u vu re një zhvillim i vrullshëm i tregtisë dhe zejtarisë në këtë qytet. Kjo u bë e mundur nga pozita e favorshme e qytetit të Elbasanit si një nyjë lidhëse ndërmjet të gjitha trevave shqiptare e veçanërisht të funksionimit të transportit përgjatë rrugës tokësore Egnatia.

Por zhvillimi i tregtisë dhe i zejtarisë do të shoqërohej edhe me reformat më të përsosura të organizimit ( koorporativ) të esnafëve.

Gjurmët e hershme të organizmit esnafnor të fazës embrionale, i takojnë gjysmës së dytë të shekullit XVI. Për herë të parë në vendin tonë në vitin 1580 në qytetin e Elbasanit hasen esnafët ( tajfat) e tabakëve ( lëkurëregjësve) terzinjve, çullhave, ( leshpunuesve) takijexhinjve, fespunuesve, shpataxhinjve, gëzotarëve, etj.

I tillë ishte në vitin 1580 edhe esnafi i tregtarëve të Elbasanit ( ehli zymreh) i kryesuar nga disa pleq që kishin krijuar prej shumë kohësh rregullat ( besëlidhjet, marrëveshjet) e tyre.

Në shekullin e XVII në qytetin e Elbasanit kishte 30 esnafë, përfaqësues të 60 llojesh zejesh të ndryshme. Kronikani Turk Elvija Celebiu, që ka vizituar Vilajetet shqiptare në vitet 1660 – 1670 dhe ka lënë shënime të vlefshme historike, duke folur për zejtarët e Elbasanit shkruan “ … në këtë qytet punohej çdo mjeshtëri, por qëndistarët dhe armëtarët punojnë mjeshtëri shumë të hollë dhe me elegancë…”

Në këtë kohë në Elbasan vendin e parë e zinte esnafi i tabakëve, dhe pas tyre vinte esnafi i argjendarëve. Vetëm me përpunimin e arit e të argjendit në Elbasan ishin 100 familje që merreshin me këtë zeje. Objektet e zbukurimit si unazat, varëset, gjerdanët e sidomos armët e zjarrit të montuara prej tyre e të zbukuruara me argjend ishin bërë të famshme në të gjithë Perandorinë Osmane.

Me anën e dispozitave ( kanun – nameve) të Statutit, rregulloheshin marrëdhëniet e shkëmbimit të prodhimeve të ndryshme, përcaktoheshin taksat, çmimet, peshat, masat. Udhëzohej tregtia e jashtme, doganat, shitja e skllevërve, organizoheshin panairet lokale me mallrat e tyre, festat kolektive në vende piktoreske të quajtura ndryshe teferrice, si në Byshek, Manastiri i Shijonit, Kroi i Kalit . Cdo esnaf kishte dokumentacionin e vet ( kodikët) vulën, flamurin.

Esnafët unanimisht vendosnin çmime fikse dhe pesha e dimensionieve të standardizuara për mallrat e tyre në çdo vend ku tregtonin caktonin me marrëveshje zonat e tregtisë dhe vendet e punë s e të shitjes. Kudo mbizotëronte ndershmëria.

Termi i përdorur deri në Selanik “ Elbasan Pazar” nënkuptonte çmim të pandryshuar.
Brenda vendit esnafët luajtën një rol të rëndësishëm në çështjet organizative, ekonomike, politike shoqërore, ushtarake të vendit. Ata kishin shumë ndikim në pushtetin vendor të kontrolluar nga pushtuesit osmanë. Nuk kishte ngjarje në qytet pa pjesëmarrjen e shtresave të esnafëve të cilët ishin bërë tashmë një forcë e rëndësishme shoqërore në jetën e përditshme të qytetit.

Organizimi i esnafëve ishte i tillë : detyrimisht anëtarët ishin mjeshtra të së njëjtës zeje dhe të njëjtit besim fetar. Në krye kishin një udhëheqës shpirtëror ( shejhu) dhe pas tij vinte Llonxha me 3 – 6 anëtarë që ishin zgjedhur nga elita e tyre , dhe në fund vinte anëtarësia e thjeshtë e mjeshtrave. Zgjedhja e kreut bëhej me vota dhe vend nderi në esnaf zinin qahjai dhe bajraktari.

Në Elbasan, si me një forcë magjike, një shenjë e thjeshtë rrahja e shkopit të qahjait të Tabakëve tri herë në kalldrëm të Bezistanit, ( sheshi në mes të pazarit) shkaktonte mbylljen e dyqaneve brenda disa minutave dhe gatishmërinë luftarake e të gjithë zejtarëve të qytetit.

Interesante është se në kuadrin e shërbimit ushtarak për Perandorinë Osmane, esnafët në Elbasan ndërhynin pranë autoriteteve vendore dhe nuk lejonin që të dërgohej ushtar një djalë që ishte i martuar me një vajzë, familja e së cilës nuk kishte djalë. Kjo ishte e vlefshme pavarësisht faktit nëse rekruti ishte i krishterë apo mysliman.

Elbasani sipas raportit të peshkopit Nikollë Mekajshi ( 1609) konsiderohej si kryeqendra e Shqipërisë së Mesme, dhe njëkohësisht si një qytet me popullsi të madhe dhe me lagje të shumta.

Evlija Celebiu thotë se … “ këtu priteshin edhe monedha… “ dhe i tërhequr nga natyra e vendit e quan Elbasanin … “ nuse të shqipërisë”.

Së fundi shthurja e sistemit esnafor erdhi si pasojë e sistemit teknologjik që mori hov në fund të shekullit të XVIII në vendet perëndimore të cilët duke përsosur dhe modernizuar format e prodhimit zaptuan tregjet duke tregtuar me çmime të lira dhe cilësi më të lartë. Megjithatë, elementë të zbehtë të organizimit esnafor u ruajtën në vendin tonë deri në vigjilje të shekullit të XX.

Artizanët elbasanas, të njohur për gdhendjen e armës

Sami Frashëri duke vlerësuar armët e prodhuara në Elbasan shkruante: “brenda në këtë qytet punohen tyta pushkësh të cilat preferohen shumë nga shqiptarët”

Qytetarët elbasanas kanë meritën e tyre pasi duke filluar nga shekulli i XVIII prodhuan me mjete artizanale por me aftësi teknike të përsosur një nga pushkët më të reja të kohës “ Hutën e Elbasanit”, armë të cilat ndodhen në Muzeun Etnografik, e cila u quajt “ huta e miletit”
Për prodhimin e saj u dalluan mjeshtrat Saliu i Xhem Katundjes dhe Dem Zabzuni.

Lidhjet tregtare dhe zejtare me tregjet dhe panairet e vendit, ku tregtimi i armëve zinte një vend të rëndësishëm si dhe eksportimi i armëve të luksit, bënë që kjo zeje të kalonte kufijtë e perandorisë Osmane.

Ky zanat i armëtarëve bazohej kryesisht në përpunimin e metaleve lidhur pjesërisht me atë të drurit. Deri në pushtimin turk, në krahinat e Elbasanit, si në pjesën më të madhe të vendit, prodhoheshin vetëm armë të bardha, si sopata, shpata, topuze, heshta, shigjeta, mburoja, si dhe veshje të jashtme metalike. Pas pushtimit turk, dhe me futjen e armëve të zjarrit, si dhe me zhvillimin e qytetit, doli në pah profesioni i armëtarit duke u organizuar e specializuar, sidomos në krijim e esnafëve të armëtarëve.

Në shekullin e XVII përmendet Ali Harkova, nga Grabova i cili prodhonte pushkën e gjatë me çark, “karajfilen”, shumë të njohur në krahinat shqiptare”.

Prodhimet e armëtarëve në Elbasan nuk ishin vetëm armë, por edhe prodhime artistike të vërteta. Çdo pjesë e armës punohej mekanikisht me rrahje, gërryerje, gdhendje limosje, ndërsa shkrirja dhe derdhja e hekurit nuk përdorej”

Në mesin e shekullit të XIX-të përmendeshin si armëtarë të zotë Osman Dyni, Bim Biçaku, Lam Zabzuni, Mal Skera, Muç Guranjaku. Armëtarët Elbasanas përdornin armët e zjarrit në bashkëpunim me armëtarë të krahinave të tjera shqiptare, sidomos Prizrenit i cili prodhonte tytat e pushkëve dhe merrte nga Elbasani çarqet e bubat e pushkëve.

Në shekullin XIX –XX, prodhimi i armëve në Elbasan përfaqësohej nga 30 sokaqe, dhe çdo sokak kishte disa dyqane të ndara sipas zejeve dhe proceseve të punës.

 

Armët e prodhuara në Elbasan njiheshin dhe pëlqeheshin jo vetëm në tregjet e Ballkanit, por ato tregtoheshin deri në Anadoll, Liban, Siri, Persi, Egjipt, Tunizi, Sudan dhe Indi.
Profesioni i armëtarit mori fund në shekullin e XX- të me vdekjen e mjeshtrit të fundit të këtij profesioni Cen Karadakut.

Miranda Sadiku