Efektivët Batalionit të Mbështetjes Rajonale dhe mjetet borëpastruese, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme kanë punuar për hapjen e rrugëve kryesore në qytetin e Pukës dhe të Burrelit.

Siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia e Pukës, pas shumë orësh gjatë natës është arritur të zhbllokohet segmenti Qafë Qerreti-Qelëz, deri pranë shkollës së mesme të bashkuar “8 Dhjetorit” Qelëz.

Orteqet e shkaktuara përgjatë gjithë rrugës, por dhe trashësia e borës e kanë vështirësuar shpesh punën e tre mjeteve borëpastruese të angazhuara për zhbllokimin e kësaj rruge.

Aksionin për zhbllokimin e rrugës së Qelzës e ka ndjekur nga afër dhe vetë kreu i bashkisë së Pukës,  Gjon Gjonaj i cili ka qëndruar në terren deri në orën 03:00 të mëngjesit. /a.g/