Porti i Durrësit, po kthehet në destinacionin e preferuar të ankorimit të anijeve të mëdha.

Ai mirëpret anije me mallra të natyrave dhe përmasave të ndryshme përmes katër terminaleve që operojnë në këtë port.

Por investimet strategjike që po ndërmerr qeveria në portin e Durrësit, kryesisht në thellimin e basenit dhe kanalit hyrës në port do të mundësojnë rritjen e kapaciteteve përpunuese edhe të anijeve të mëdha, duke e kthyer në një port konkurues në rajon.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se, investimet po kryhen nisur nga nevoja për hyrjen dhe përpunimin në port të anijeve me kapacitete më të mëdha si dhe për krijimin e kushteve të domosdoshme për lundrim të sigurt në kanalin hyrës të portit.

Grafiku i punimeve përfshin pastrimin dhe thellimin e basenit dhe kanalit hyrës me gjatësi totale rreth 6700 metra, çka do të bëjë të mundur që anijet të kryejnë një rrotullim të plotë brenda basenit të portit, pa penguar punimet e anijeve të tjera të ankoruara.

Me përfundimin e këtij investimi do të mundësohet hyrja në port e anijeve me kapacitet të madh rreth 20.000 ton dhe 1. 000 njësi kontejnerike TEU, si dhe ankorimi i tyre në anë të kalatave të portit.

Porti i Durrësit është tashmë në proces rehabilitimi dhe përmirësimi të strukturave e kapaciteteve të tij që i përgjigjen standardeve dhe zhvillimit ekonomik që po merr vendi. /e.xh/ /a.g/atsh