Puka është kthyer tashmë në një destinacion turistik, duke ofruar për vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Të apasionuarit pas natyrës dhe aventurës tashmë mund të eksplorojnë bukuritë e qytetit verilindor përmes shenjimit të shtigjeve turistike.

Kryetari i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, mori pjesë sot në përurimin e 107 kilometra shtigje turistike falë bashkëpunimit të organizatës “AgroPuka” dhe “Yunus Social Business Balkans”.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Gjonaj tha se “shenjimi i shtigjeve dhe sinjalistika e mundësuar përgjatë këtyre shtigjeve janë një tjetër dritë shprese për zhvillimin e turizmit malor në territorin e bashkisë Pukës”.

Gjonaj e vlerësoi edhe një herë zhvillimin e turizmit malor si të vetmen shpresë për Pukën, teksa tha se bashkia e Pukës do të vazhdojë investimet në infrastrukturë, duke përcjellë dhe lajmin e mirë për investimin e këndit të lojërave të aventurës që do të jetë unik në Shqipëri.

Përfaqësuesit e të dy organizatave, Sabah Djaloshi dhe Shkëlzen Marku u ndalën tek rëndësia e këtyre shtigjeve me një gjatësi 107 km, të cilat tashmë do të jenë në shërbim të turistëve që do të vizitojnë Pukën.

Eksperti, Ndoc Mulaj e ka konsideruar Pukën si një ndër zonat e begata të Shqipërisë ku turistët mund të gjejnë një shumëllojshmëri të produkteve dhe elementeve natyrorë dhe turistikë.

Me këtë rast u zhvillua dhe një tryezë bashkëbisedimi me aktorë të ndryshëm të zhvillimit të turizmit, ku mendua për hapat e mëtejshëm në të ardhmen.

/k.s/j.p/