Sindikatat, partitë opozitare dhe jelekverdhët pritet të përballen ashpër sot me qeverinë për një projektligj mbi reformën e pensioneve, një nga premtimet kryesore të presidentit, Emmanuel Macron.

Në origjinë të këtij mobilizimi qëndron një sistem universal i ardhshëm i pensioneve me pikë, që supozohet të zëvendësojë 42 planet ekzistuese.

Qeveria premton një sistem më të kuptueshëm dhe më të drejtë, por kundërshtarët presin të krijohet më shumë pasiguri për pensionistët.

Punonjësit e hekurudhave, mësuesit, studentët, policët, punëtorët e pastrimit, avokatët, partitë e opozitës dhe jelekverdhët kanë bërë thirrje për mobilizim.

Në të gjithë Francën janë raportuar për 245 tubime dhe protesta.

Në transport, 90 % e trenave të shpejtësisë së lartë dhe 80% e trenave ekspresë rajonalë janë anulluar, kurse në Paris 11 linja metroje do të mbyllen.

Linjave të avionëve u është kërkuar të pakësojnë programin e tyre të fluturimit me 20%.

Shumica e shkollave pritet, gjithashtu, të mbyllen.