TIRANË, 16 janar/ATSH/ “Fuqizimi i grave në shoqëri përbën tashmë një faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike dhe një komponent ku duhet investuar shumë për të patur një shoqëri më të mirë”, u shpreh ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

Ministri Shalsi mori pjesë në samitin “Takimi i Rrjetit të Grave Profesioniste të Diasporës”, organizuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën.

Shalsi theksoi përfaqësimi në qeveri me një numër jo të vogël dhe të konsiderueshëm të zonjave ministre, numër që kalon 50%, por edhe të numrit të zonjave që përfaqësojnë gjininë në Parlament tregon se qeveria është e angazhuar për fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë.

“Po jetojmë një momentum të grave shqiptare duke patur parasysh së janë më shumë se gjysma e qeverisë, rreth 30% në parlament, 50% në këshillat bashkiakë, si dhe rreth 50% në nivele manaxheriale”, vuri në dukje ai.