Garantimi i votimit të emigrantëve është çështja kryesore që Partia Socialiste ka sjellë në tyrezën e Komisionit për reformën Zgjedhore.

Bashkëkryetari i PS në këtë Komision, Bledi Çuçi, u shpreh se, “është cinike që ne merremi në Kodin zgjedhor me përshkrime të detajuara sesi t’i garantojmë secilit qytetar aksesin në votime dhe kemi lënë në harresë të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, të cilët duhet dhe ata të kenë zërin e tyre në mënyrën sesi qeveriset Shqipëria

‘Ne, vijoi ai, “si grup pune kemi rënë dakord edhe me opozitën. Këto janë rregulla që vendosen bashkërisht me opozitën. Duhet t’u mundësojmë emigrantëve që aty ku janë të kenë mundësi të votojnë”.

Janë vetëm dy vende sot në Europë që nuk e garantojnë sot këtë gjë”, tha Çuçi.

Ai shtoi se, “Partia Socialiste ka si synim të qartë të garantojë rregulla që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të lira ndaj që prej fillimit të legjislaturës miratuam dhe ngritëm një komision Ad-hoc, bipartizan për të diskutuar për përmirësimin e rregullave të lojës politike dhe administrimit të procesit zgjedhor”.

“Tre çështje ishin në tryezë. E para, e panegociueshme sepse vinte si një detyrim i organizmave ndërkombëtare, adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për tre zgjedhjet e fundit në Shqipëri. E dyta ishin çështjet që PS solli në tryezë dhe e treta ishin ato që opozita ka sjellë në tryezë”, tha Çuçi.

“Kemi pasur rekomandim nga OSBE-ODIHR që duhet filluar tashmë që edhe në Shqipëri t’i depolitizojmë gradualisht komisionet zgjedhore. Kjo i shërben, jo vetëm klimës politike, por edhe procesit. Për këtë kemi bërë propozimet tona si PS dhe mendoj se edhe diskutimet e bëra në Komisionin bipartizan nuk kanë marrë kundërshti. Mendoj se bashkë me setin e rekomandimeve që brenda një muaji do të sjellim në Kuvend kjo do përfshihet si një nga çështjet kyçe”, theksoi Çuçi,

“Partia Demokratike si kërkesë të tyre kanë pasur përfshirjen e teknologjisë në procesin zgjedhor edhe për këtë pasur një analize të gjerë dhe tashmë kemi marrë vendimin politik që po jemi dakord ka ardhur momenti të pilotojmë futjen e teknologjisë në procesin e votimit dhe identifikimit”, u shpreh Çuçi.