Kreu i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) , Michael Granoff, në mënyrë simbolike dorëzoi sot draftin e Menaxhimit të Integruar të Parkut të Butrintit.

Sipas tij, bëhet fjalë për investim të qëndrueshëm, me shqiptarët dhe që i mbetet shqiptarëve.

“Pas një bashkëpunimi të suksesshëm 10 vjeçar, nisim një tjetër sfidë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (The_AADF)”, shprehet ministrja e Kulturës , Elva Margariti.

“Nevoja për një plan menaxhimi të integruar erdhi nga kërkesa dhe domosdoshmëria për ta nxjerrë Butrintin nga limitet e një ishulli dhe për ta kthyer atë që qendrën e një varg rrathësh koncentrikë”, tha ministrja.

Ajo shtoi se, “Butrinti është vetëm një qendër, që gjeneron zhvillim në gjithë zonën përreth, duke sjellë përfitime për të gjithë këtë territor dhe njëkohësisht trashëgimia kulturore ruhet e promovohen”.

Plani parashikon të adresojë çështje të cilat janë të mbartura nga shkuara dhe nga ana tjetër të jap zgjidhje mbi kontekstin e ri të krijuar me ligjin e trashëgimisë. Bazuar mbi këtë ekspertizë plani i ri i menaxhimit do të ofrojë udhëzime dhe politika, bazuar në praktikat më të mira për menaxhimin e integruar të vlerave kulturore dhe natyrore; të bëjë propozime për mundësitë e zhvillimit ekonomik në sit dhe përreth tij (zona tampon) duke përfshirë aktivitetet e turizmit dhe kohës së lirë; të propozojë një strukturë menaxhimi për funksionimin e sitit dhe të rrisë kapacitetet e stafit drejtues të parkut.

Në përfundim, plani i ri do të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkun Kombëtar të Butrintit 9,000 ha. /atsh