Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi sot në Berlin se nuk ndante vizionin “radikal” të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili e gjykoi NATO-n në gjendje të “vdekjes cerebrale”.

“Nuk mendoj se një gjykim i tillë, i papërshtatshëm, të jetë i nevojshëm, edhe nëse kemi probleme, edhe nëse na duhet të rikuperohemi”, shtoi kancelarja gjermane në një konferencë shtypi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Presidenti francez ka përdorur terma radikalë, gjë që nuk është pikëpamja ime përsa i përket bashkëpunimit brenda NATO-s”, shtoi Merkel.

Stoltenberg theksoi nga ana e tij se NATO mbetet e fortë duke zbuluar se SHBA-ja dhe Europa po punojnë së bashku më shumë se dekada më parë.

Emmanuel Macron dënoi, në një intervistë të publikuar në të përjavshmen “The Economist”, “vdekjen cerebrale të NATO-s”.

Ai shprehu keqardhje veçanërisht për mungesën e koordinimit mes SHBA-së dhe Europës dhe sjelljen e njëanshme të Turqisë në Siri, anëtare e Aleancës Atlantike.

“Qëllimet strategjike të NATO-s duhet të sqarohen tashmë”, theksoi Macron një muaj nga një samit i NATO-s, i parashikuar në Londër në fillim të dhjetorit./atsh