Gjermania mbështet pa rezerva reformën në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Garancinë e ka dhënë ditën e djeshme ministrja e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë, Katarina Barley, gjatë një takim që pati në Berlin me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në fjalën e saj, ministrja gjermane e Drejtësisë, Katarina Barley vlerësoi zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. “Reforma në drejtësi është një shembull pozitiv dhe është pritur shumë mirë në Gjermani si dhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave”, deklaroi Barley. Ndërsa nga ana e saj, Gjonaj prezantoi arritjet e Shqipërisë, veçanërisht për reformën në drejtësi, ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja, si dhe theksoi sfidën e zgjedhjes të SPAK, si një strukturë e rëndësishme në luftën efektive kundër korrupsionit.

“Reforma në drejtësi nuk ka më kthim mbrapa dhe duhet të çohet deri në fund, pasi është e rëndësishme që Shqipëria të jetë një vend sa më i sigurt dhe me stabilitet”, deklaroi ajo. Po ashtu, ministrja Gjonaj informoi edhe mbi reformimin e sistemit penitenciar, si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë dhe hapat që po ndiqen në forcimin e sigurisë në burgje, në uljen e korrupsionit dhe në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve në institucionet penale. Ndërkohë, po ditën e djeshme Gjonaj dhe delegacioni shoqërues u pritën në një takim nga Sekretari Parlamentar i Shtetit, në Ministrinë e Brendshme Federale, Stefan Mayer. Ky i fundit theksoi se qeveria gjermane do të mbështesë Shqipërinë me anë të projektit të Binjakëzimit për të rritur më tej njohjen dhe perceptimin e publikut ndaj masave të marra në luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, ai vlerësoi si të rëndësishme krahas forcimit të shtetit ligjor edhe zhvillimin e ekonomisë duke përgëzuar Shqipërinë për rritjen ekonomike konstatuar edhe përgjatë vizitës së tij më të fundit në Tiranë në tetorin e vitit të kaluar. “Vlerësoj arritjet dhe përpjekjet e ndërmarra nga Shqipëria për forcimin e shtetit ligjor, të rëndësishme në këtë periudhe kohore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi Sekretari Parlamentar i Shtetit, në Ministrinë e Brendshme Federale, Stefan Mayer.