Bashkia Kukës do të aplikojë gjoba për të gjithë qytetarët apo bizneset që nuk i depozitojnë mbetjet në vendet e caktuara.

Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici deklaron se është e domosdoshme ashpërsimi i masave nisur edhe nga situata e rënduar në të cilën ndodhet territori i qytetit nga mbetjet urbane dhe inerteve të hedhura vend e pa vend.

“Duke parë situatën e rënduar në të cilën ndodhet territori i qytetit, sa i përket mbetjeve urbane dhe inerteve të hedhura vend e pa vend, Bashkia Kukës do të aplikojë gjoba për të gjithë qytetarët apo bizneset që nuk i depozitojnë mbetjet në vendet e caktuara. Këto masa do merren, duke qenë se ka qytetarë, të cilët rikonstruktojnë shtëpitë dhe mbetjet inerte i përziejnë me ato urbane”, shprehet Gjici.

Po ashtu, thekson ai, ka biznese të cilat ndotin ambientin me mbetjet e produkteve që tregtojnë.

Kryebashkiaku i Kukësit deklaron se masat administrative do të nisin së aplikuari më 1 shtator.