Në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po zhvillohen në Luksemburg, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjonçaj u takua me sekretarin e përgjithshëm të AP-së së OSBE-së, Roberto Montella.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i OSBE-së pranë Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Andreas Nothelle dhe këshilltari politik, Francesco Pagani.

Gjonçaj uroi Montellan për rizgjedhjen si sekretar i përgjithshëm i AP-së të OSBE-së si dhe  vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që OSBE-ja i ka ofruar institucioneve shqiptare dhe Kuvendit të Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.

”shtu sikurse procesi i integrimit europian edhe kryesia e radhës e OSBE-së shërbejnë si instrumente pozitivë inkurajues për Shqipërinë në rrugën e reformave të brendshme”, tha Gjonçaj.

Montella theksoi se në kuadër të kryesisë shqiptare të OSBE-së, dimensioni parlamentar është gjithashtu i një rëndësie të veçantë përbri rolit të aktorit kryesor, task-forcës.

“Shqipëria është në zemrat tona dhe ne duam të shohim një kryesi të suksesshme për të cilën do të keni mbështetjen e plotë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Është e rëndësishme të theksojmë se kryesia nuk duhet të konsiderohet si përgjegjësi e njërës apo tjetrës palë, por është kryesia e vendit tuaj, Shqipërisë”, theksoi Montella./ /a.g/ATSH