Granit Xhaka ka lënë një koment motivues në “Instagramin” e Zhegrovës, pas paraqitjes pozitive mbrëmë në ndeshjen mes Baselit dhe Grasshoppersit.

Për herë të parë pas disa muajsh, Edon Zhegrova ka startuar për Baselin në Superligën e Zvicrës, shkruan Gazeta Express.

Ai e nisi nga fillimi ndeshjen kundër Grasshoppersit, sfidë që përfundoi 0-0.

Zhegrova, i cili ka qenë në qendër të kritikave muajve të fundit, bëri paraqitje pozitive për Baselin, klub në të cilin luajnë edhe dy shqiptarë tjerë; Taulant Xhaka dhe Albian Ajeti.

Duket se edhe Granit Xhaka është i vetëdijshëm për kritikat e shumta për Zhegrovën dhe pas ndeshjes së mbrëmshme, u përkujdes që ta motivojë talentin e Kosovës dhe ka lënë një koment në Instagramin e 20-vjeçarit.

“Edon Zhegrova vetëm përpara vëlla”, ka komentuar Xhaka në postimin e Zhegrovës pas barazimit 0-0 të Baselit me Grasshoppers.

“Ishim të pafat sot. Do të vazhdojmë të punojmë shumë dhe do të tentojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”, shkroi Zhegrova në Instagram.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës, Zhegrova, iu bashkua gjigantit zviceran në fillim të shkurtit nga klubi i tij Genk, ku do të qëndrojë i huazuar deri më 30 qershor të viti 2020. Baseli ka mundësinë për ta blerë kosovarin në përfundim të huazimit të tij.

Por, që prej transferimit të tij, Zhegrova nuk ka luajtur shumë minuta, duke regjistruar vetëm tri paraqitje nga stoli, apo 38 minuta në total, ndërsa në dy ndeshje nuk ishte ftuar fare.Ai u largua nga Genku, ku po ashtu nuk luante dhe ishte lënë jashtë skuadrës plot  15 herë, me qëllim që të gjente hapësirë në Basel dhe pikërisht këtë mundësi e pati mbrëmë, i cili startoi për herë të parë me klubin zviceran dhe luajti për plot 75 minuta e pastaj u zëvendësua nga Valentin Stocker. /Gazeta Express