GREQI – 240 migrantë mbërrijnë brenda një dite
GREQI – 240 migrantë mbërrijnë brenda një dite

Të paktën 240 migrantë kanë kaluar nga Turqia në Greqi që nga e premtja, deklaruan sot autoritetet greke, ndërkohë që  zyrtarët në Athinë i frikësohen një vale të re refugjatësh për shkak të sulmit të Turqisë në Siri.

Rojat bregdetare greke kapën gjatë natës 45 migrantë pranë qytetit bregdetar të Aleksandropolit.

Sipas tyre, migrantët kishin lundruar nga brigjet turke që ndodhen vetëm disa kilometra larg.

Një ditë më parë, në afërsi të ishujve të Egjeut, Lesbos, Limnos dhe Chios, rojat bregdetare greke dhe agjencia e patrullave kufitare të BE-së, Frontex, kapën 196 migrantë dhe i dërguan në zonat e regjistrimit të ishujve, ku janë duke pritur më shumë se 32 000 njerëz.

Mes migrantëve ndodheshin dhe katër trafikantë të dyshuar të qenieve njerëzore.

Gjatë valës së fundit të refugjatëve në BE në vitet 2015-2016, mbi një milion njerëz mbërritën në Greqi dhe BE.

Shumica e tyre migruan në Gjermani dhe në vende të tjera të Europës Qendrore dhe Perëndimore./atsh