Komisioni Europian pret që vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë të merret në qershor. Edhe pse është folur se mund të kemi një shtyrje në vjeshtë, për Komisionerin Johanes Hahn, Shqipëria e meriton hapjen e negociatave para verës. Gjatë një interviste, Johannes Hahn deklaroi se reformat në drejtësi që ka bërë Shqipëria duhet të shpërblehet dhe se po punohet fort për të marrë dritën jeshile për të nisur përgatitjen përfundimtare të negociatave. “Ka disa diskutime por unë jam i përqendruar për të siguruar një vendim para verës, sepse ky ishte gjithmonë qëllimi ynë. Ne do të paraqesim raportin tonë vjetor për dy javë, ku me siguri do të japim një vendim pozitiv për të dyja vendet. Natyrisht ka gjithmonë disa punë që duhet të bëhen. Por, unë mendoj, sidomos kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, se duhet të pranojmë përparimin e madh që ky vend ka bërë në tejkalimin e konflikteve dypalëshe, që është parakusht për anëtarësimin e ardhshëm në BE. Gjithashtu reforma e gjyqësorit në Shqipëri është diçka që duhet të shpërblehet. Pra, në këtë drejtim, mendoj se kjo vlerësohet në mënyrë pozitive nga shtetet tona anëtare”, deklaroi ai. Johanes Hahn u shpreh se po lobon fort që Shqipëria të marrë dritën jeshile në qershor. “Po përpiqem të bëj çmos për ta arritur këtë qëllim. Së pari kemi nevojë për dritën e gjelbër për të filluar përgatitjen përfundimtare të negociatave dhe pastaj është përsëri një procedurë me bazë meritore. Dhe sigurisht që na nevojitet pëlqimi i të gjitha shteteve tona anëtare”, tha Hahn.

Reagon zyrtari i Merkel

Mbështetjen ndaj hapjes së negociatave e ka dhënë dhe zyrtari i kancelares Angela Merkel. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ministri i Shtetit Michael Roth u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur kriteret që i janë vendosur vitin e kaluar, duke theksuar se hapja e negociatave do të bëhet e mundur në qershor. “Ne duhet t’i mbajmë premtimet tona. Një vit më parë, në qershor, i dhamë Shqipërisë disa detyra me vete dhe kam përshtypjen se Shqipëria i ka përmbushur këto detyra: reforma ligjore, lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës së drogës, ndërtimi i një administrate moderne. Në këto fusha janë bërë përparime të mëdha. Sigurisht ka ende shumë për të bërë, por jam optimist se, mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”, tha Roth. Ministri i Shtetit akuzoi opozitën se me protestat e dhunshme po pengojnë hapjen e negociatave. Sipas Michael Roth Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk janë aspak të interesuara për hapjen e negociatave, duke shtuar se Basha dhe Kryemadhi po ndjekin një politikë penguese në kurriz të qytetarëve. “Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vend, në Shqipëri, dhe gjithashtu për përgjegjësinë e opozitës për dhunën. Pres që opozita të reagojë drejt në përgjegjësinë e saj për demokraci. Kam përshtypjen se opozita sikur nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese të papërgjegjshme në kurriz të popullit të Shqipërisë”, u shpreh ministri i Shtetit Michael Roth.

Elisjeda Kiko