Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, dje shprehu keqardhje që vendet anëtare të BE nuk arritën konsensus në tetor për fillimin e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fjalimin e tij të fundit para Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, në debatin e fokusuar kryesisht në Ballkanin Perëndimor, Hahn theksoi edhe njëherë se ky vendim i shkaktoi një dëm të madh të besueshmërisë së Bashkimit Europian. Johannes Hahn konsideroi se Bashkimi Europian nuk mund të lejojë të drejtën që të merret me reformën e brendshme, dhe më pas të fillojë proceset në rajon, pasi sipas tij ka rrezik shumë të madh të ndodhë ngecje reformuese në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Besueshmëria pësoi dëm të madh. BE-ja në botë flet për sukseset e multilateralizmit dhe ne jemi fuqi udhëheqëse në këtë, por këtu nuk arritëm të sjellim vendim. Besueshmëria jonë është dëmtuar”, u tha Han eurodeputetëve, ndërsa nënvizoi se besueshmëria e BE-së është një prej përparësive të saj më të mëdha. Ai vijoi në fjalinë e tij se me këtë veprim, BE nuk i respektoi premtimet, duke shpresuar që vendimi të rishikohet. Eurokomisioneri Hahn gjithashtu përkujtoi se kushtet të cilat u janë parashtruar vendeve në qershor të vitit 2018 ishin konsensus i vendeve anëtare të BE-së, e jo të Komisionit Europian dhe se asgjë nuk u është imponuar me forcë shteteve anëtare. Gjatë mbledhjes për këtë diskutim, foli edhe eurodeputetja nga Letonia. Nga radhët e Partisë Popullore Europiane (EPP), Sandra Kalniete, tha se ndjen turp personal për shkak të vendimit të Samitit të tetorit të BE-së. “Me vite të tëra i kam thënë ambasadorit të Maqedonisë së Veriut që zgjidhni vetëm çështjen e emrit dhe do të hyni. Dëmi mbi besueshmërinë tonë është i madh. Nëse kemi edhe një samit tjetër, në të cilin do të zhgënjehen shpresat e vendeve, kjo do të jetë katastrofike”, deklaroi Kalniete. Kujtojmë se në 17- 18 tetor, Bashkimi Europian në samit mori vendimin për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa shtyu datën për qershor të 2020.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/