Qëndisja konsiderohet si arti më i vjetër i grave shqiptare. Por, ky art nëse nuk i mësohet brezit të ri, rrezikon të zhduket. Për të mosh shkuar deri në këtë pikë, ditën e sotme në Muzeun Etnografik të Elbasanit, ka nisur kursi i qendistarisë.

Me mbështetjen e veçantë të Bashkisë Elbasan, me përkrahjen e shkollës “Jorgji Dilo”, dhw pasionin e drejtoreshës së Muzeut Etnografik Elbasan, sot fëmijët e klasës së 6 kanë filluar të marrin mësimet e parë të qëndisjes.

Sigurisht, mësimet po i jep Znj.Rabie Spaho, një artizane, pasioni i të cilës s’ka shteruar kurrë.
Arjana Shella, Drejtoreshë e shkollës “Jorgji Dilo”, për Tv Skampa u shpreh se këto mësime jo vetëm që do të ndihmojnë që profesione të tilla të mos zhduken, por do të bëjnë që edhe fëmijët të angazhohen në punimet me dorë.

Ndërsa ata që morën të gjithë vëmëndjen ishin fëmijët, të cilët shfaqën një dëshirë të zjarrtë për të mësuar hap pas hapi mënyrën e punimit. Të mësuar nga gjyshërit dhe prindërit, ata theksojnë faktin se përcjellja e këtyre traditave tek mosha e tyre do të bëjë që historia dhe kultura të mos vdesë kurrë.

Punimet me dorë, qëndisja, punimet me grep, me mbushje vazhdojnë të preferohen gjithnjë e më shumë nga shqiptarët, dhe mësimi i fëmijëve padyshim që do të bëj që ky art të mos zhduket kurrë.

EDLIRA XHERRI