ATSH/ – “Shqipëria i ka bërë detyrat e saj dhe Komisioni e Këshilli duhet të mbajnë premtimet e tyre. Ky ishte mesazhi i Komisionerit për zgjerimin të BE-së, që është një mesazh i ngrohtë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Kështu deklaroi Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e ftuar në një studio televizive ku foli për rrugën europiane të Shqipërisë.

Duke komentuar vizitën në Shqipëri të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, Spiropali pohoi se, ky akt është në vetvete një mesazh i ngrohtë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për rrugën e tyre europiane.

“Jemi përpara një situate të re. Komisioneri tha se është duke negociuar, duke u ulur, duke folur për vendet që janë skeptike për procesin e integrimit në tërësi dhe shpreson se shumë shpejt Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të çelin negociatat”, tha Spiropali.

E pyetur sesa shanse ka që kjo metodologji e re për zgjerimin e BE do ta afrojë më tepër Shqipërinë me hapjen e negociatave, Spiropali tha se, “ne atë nuk mund ta dimë. Franca është një vend që ka propozuar një ndryshim sesi vendet e reja i qasen BE dhe metodologjinë e vlerësimit të tyre, por nuk kemi ende një dokument që të jetë i hapur dhe publik për diskutim. Posaçërisht Macron ka idetë e veta mbi integrimin. Kokën e tij nuk e  lexojmë dot, por ne bëjmë punët që duhen bërë. Dhe besoj që kemi bërë një punë të mirë. Presidenti Macron pastaj marrëdhëniet i ka me Gjermaninë me vendet e tjera dhe kjo nuk ka të bëjë me ne, është jashtë mundësisë tonë për të ndikuar”.

“Unë mendoj se shumë nga qëndrimet janë afruar dhe besoj se Gjermania, e cila ka qenë një një promotore e fortë dhe një mbështetëse e madhe e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është afruar në qëndrim me Francën dhe me vende të tjera”, tha Spiropali.

Duke folur për marrëveshjen e arritur me opozitën jashtëparlamentare për miratimin e Reformës Zgjedhore ministrja Spiropali theksoi se, “ne si mazhorancë jemi aty ku kemi qenë, nuk kemi lëvizur nga kjo tryezë. Kemi qenë të hapur”.

Ajo theksoi se, “është një lajm i mirë që opozita jashtëparlamentare ka braktisur rrugën e dhunës, molotovit, të përjashtimit dhe heqjes dorë nga institucionet. Ky opsion ka qenë gjithmonë i hapur. Ne i kemi lënë një vend opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore”.

“Ne shpresojmë se 15 marsi të jetë data e fundit për të bërë ndryshimet dhe të adresohen rekomandimet e OSBE-ODIHR”, tha Spiropali.

E pyetur nëse do përmbushet ky afat, Spiropali tha se, “jemi në rrugë të mbarë, sepse është bërë një punë e madhe përgatitore”.

Sa i përket diskutimit të sistemit zgjedhor, Spiropali theksoi se, “nuk ka qenë asnjëherë diskutim që kërkohet nga partneret tanë. Kjo është një çështje kushtetuese. Pra duhet ndryshuar Kushtetuta për të ndryshuar sistemin. Është një diskutim që ne jemi pa asnjë kompleks për ta bërë, por primare kemi rekomandimet e OSBE-ODIHR”.