Brenda pak orësh në fundjavë, Besar Lalike dhe Elidian Çepele u bënë të njohur përtej rrjetit të miqve të tyre në Facebook.

Dy laborantët dentarë arritën të dielën të prodhonin përmes një printeri 3D një pajisje përshtatëse, e cila mundëson dyfishimin e kapacitetit të ventilatorëve të paktë të vendit në luftën kundër koronavirusit të ri, COVID-19.

Besar Lalike i tha BIRN se i ishin futur punës pasi kishin parë printimet e kolegëve të tyre në Itali dhe kishin kuptuar se printerat që zotëronin në laboratorin e tyre “Dentur Design Center’ mund ta kryenin procesin –që kërkon saktësi të jashtëzakonshme dhe matet me nano-milimetra.

“Ne nuk donim që të përmendeshim fare për këtë punë,” tha në një bisedë telefonike Lalike. “Nuk ishte qëllimi ynë që të bëheshim të famshëm”.

Barra e jehonës mbi përpjekjen e suksesshme të dy laborantëve dentarë bie mbi mjekun stomatolog, Gjergji Dilo.

Në një status në Facebook, Dilo kërkoi ndihmë për t’u siguruar atyre rezinë – lëndë e parë për printerat 3D që prodhojnë implante dhëmbësh dhe protezash dhe që tani, falë përpjekjes së Lalikes dhe Çepeles, mund të shpëtojnë edhe jetë.

“Uroj që të mos jetë kurrë nevoja të përdoren, por nëse do na duhen, kjo pjesë do të shpëtojë jetë,” tha Dilo për BIRN. Ai ndërmjetësoi me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për testimin e pajisjes.

Gatishmëria e dy laborantëve për të vënë biznesin në dispozicion të mjekëve që po luftojnë me Covid-19 është duartrokitur si “prekëse dhe frymëzuese” nga një rreth i gjerë njerëzish.

Doktor Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë vlerëson përpjekjen e dy laborantëve, ndërsa shpreson gjithashtu që emergjenca në Shqipëri të mos jetë asnjëherë e tillë sa të nevojiten më shumë ventilatorë.

“Ajo që është e rëndësishme, është që ka qytetarë që me paratë e tyre ofrohen vullnetarisht për të ndihmuar në këtë situatë,” tha Gjata. “Pjesës tjetër i kërkohet vetëm që të qëndrojë në shtëpi”, shtoi doktori, duke i mëshuar mesazhit për distancim social.

Paisja e prodhuar me printer 3D, që mundëson lidhjen e një respiratori me më shumë pacientë. Foto credits: Besar Lalike.

Prej momentit që mjekët italianë u shfaqën të dëshpëruar në video për shkak të mungesës së paisjeve të ventilimit (mjete të frymëmarrjes së drejtuar) dhe që u duhej të zgjidhnin mes pacientëve me COVID-19, qindra njerëz në të gjithë botën u vunë të kërkonin zgjidhje të shpejta.

Propozimet po eksperimentohen në të gjithë botën, përfshi Nju Jorkun, i cili sipas guvernatorit Andreë Cuomo është në pritje të një vale prej dhjetra mijëra të sëmurësh. Përshtatja e ventilatorëve për t’u përdorur për më shumë se një pacient dhe përdorimi i maskave të notarëve konsiderohen zgjidhje alternative në kohë lufte.

Industria e makinave në mjaft shtete është duke u përshtatur për të filluar prodhimin e ventilatorëve, por kjo pritet të marrë kohë.

Ndërsa mijëra pacientë në të gjithë botën pritet të kenë nevojë për frymëmarrje të drejtuar, Lalike dhe Çepele nuk ndenjën duarkryq në Shqipëri.

Dy laborantët zotërojnë laboratorë për prodhime në fushën e stomatologjisë në Kavajë, Vlorë dhe Tiranë, por i transferuan të hënën të gjitha pajisjet në Tiranë për të punuar me orë të zgjatura dhe për të qenë sa më afër QSUT-së.

Lalike i tha BIRN se u ishte kërkuar që të prodhonin 300 pjesë për të dyfishuar kapacitetin e ventilatorëve ekzistues.

Doktori Gjata i tha BIRN se Shqipëria kishte për momentin në dispozicion një numër ventilatorësh që vërtitet në 150-200 copë dhe bashkë me porositë e reja, mendohet se mund të mbulojnë emergjencën e pacientëve të infektuar me COVID-19.

Të mërkurën, Shqipëria numëroi 146 persona të infektuar, 72 prej të cilëve ndodhen në Spitalin Infektiv në Tiranë dhe 3 prej tyre me frymëmarrje të drejtuar.

Doktor Gjata e konsideroi megjithatë mjaft të mirë pasjen në dispozicion të një mundësie që dyfishonte apo katërfishonte kapacitetet e ventilimit.

I rëndësishëm për të është gjithashtu mesazhi se Shqipëria kishte qytetarë që shqetësoheshin dhe ishin të gatshëm të ndihmonin”.

“Kjo është për ata që kanë shumë më shumë mundësi financiare dhe që nuk janë bërë të gjallë,” tha Gjata.

Mjeku anestezist Krenar Lila, i cili realizoi provën me pjesën e prodhurar në laboratorin “Dentur Design Center” tha se prova me intubim artificial ishte kaluar me sukses. Lila dhe Gjata bënë me dije se pjesa do të përdorej vetëm nëse vendi do të ishte në një situatë të ngjashme me Italinë, kur numri i të sëmurëve të tejkalonte mundësitë e vendit për ventilatorë.

Lalike i tha BIRN se bashkë me ortakun e tij janë angazhuar të printojnë pjesët e kërkuara, ndërsa shton se në këtë proces kishte pasur ndihmë të ofruar edhe nga kolegët në Kosovë.

“Kjo do na marri rreth 10 ditë,” tha ai, duke shtuar se nuk kishte ende emergjencë.

Asnjë prej laborantëve nuk pranoi të tregonte se sa do t’u kushtonte prodhimi i 300 pajisjeve për ventilatorët.

“Nuk është e rëndësishme,” u përgjigj Lalike për BIRN.