Presidenti i Republikës Ilir Meta hodhi ditën e djeshme shortin për ripërtëritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në ambientet e Presidencës, u mbajt një ceremoni ku u zgjodhën 11 anëtarët e rinj. Shorti u hodh nga këshilltari juridik i presidentit, Bledar Dervishi në prani të të ngarkuarës me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones, kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, presidentit Ilir Meta. Dervishi sqaroi fillimisht se vetëm anëtarët që kanë plotësuar kushtet dhe kriteret marrin pjesë në këtë short. Po ashtu, Dervishi informoi edhe për emrat që hiqen nga lista e kandidatëve për shkak se nuk kanë kaluar vetingun ose janë nën hetim. Ndërkohë mes tyre është edhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi. Arjan Balliu, Arben Vrioni (të shkarkuar), Aleks Nikolli dhe Skënder Damini (nën hetim) janë katër gjyqtarët e tjerë që mbeten jashtë shortit. Referuar informacionit, presidenti ka azhornuar listën. Ndërkohë që KLP ka rikonfirmuar listën për presidentin pasi të gjithë kandidatët plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e shortit. Nga hedhja e goglave u zgjodhën anëtare të reja të KED nga kandidatët e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe Vitore Tusha. Ndërkohë Marsida Xheferllari u zgjodh anëtare zëvendësuese në KED. Po kështu, Ardian Dvorani u zgjodh automatikisht anëtar i KED si kandidati i vetëm i Gjykatës së Lartë, i mbetur në detyrë. Arta Marku u zgjodh anëtare e KED nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa Bilbil Mete anëtar zëvendësues po nga PP. Miranda Andoni dhe Saida Dollani, u përzgjodhën nga shorti si anëtare të KED, nga gjykatat e apelit, ku garonin 48 gjyqtarë. Ndërkohë goglat përzgjodhën si anëtar zëvendësues gjyqtarin Nazmi Troka. 16 kandidatë nga zyrat e prokurorisë pranë gjykatave të apelit, ishin në garë për anëtarë të KED, nga të cilët shorti i hedhur në Presidencë, përzgjodhi z. Ludovik Dodaj dhe znj. Fatjona Memçaj, si anëtar zëvendësues u përzgjodh prokurori Nezir Gjoka. Gjykatat Administrative do të përfaqësohen në KED nga z.Arjan Qafa, ndërsa si kandidat zëvendësues u përzgjodh Marjana Velcani Idrizi. Gjatë shortit u zgjodhën anëtarët e rinj të KED për 2020, ku dy anëtarë do të jenë nga Gjykata Kushtetuese, një nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.

Reagon Meta

Pas hedhjes së shortit dhe përzgjedhjes së 11 emrave të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi reagoi presidenti Ilir Meta. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai deklaroi se hedhja e goglave dhe përzgjedhja e anëtarëve të rinj u bë në mënyrë transparente, duke shtuar se edhe KED duhet të ushtrojë detyrën e saj në mënyrë transparente. “Pas një shorti tepër transparent, tani më e rëndësishme mbetet veprimtaria plotësisht transparente dhe në respekt të ligjit e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vitin e ardhshëm”, shkruan presidenti Ilir Meta në postimin e tij në Facebook.

Elisjeda Kiko